Sport

Guardiola thotë se “Eurovisioni” ka prishur orarin e Cityt

Trajneri Pep Guardiola ka theksuar se finalja e “Eurovisionit”, që është të shtunën, i ka shkaktuar “dhimbje koke”. Guardiola kërkon ta mbajë Manchester Cityn në rrugën e duhur për ta mbyllur edicionin me tripletë.

Lideri i Premier Leagues përgatitet për një ndeshje vendimtare në udhëtim ndaj Evertonit, që po lufton për mbijetesë. Kjo ndeshje zhvillohet të dielën, tri ditë para se City ta presë Real Madridin në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Guardiola do të kishte preferuar që ndeshja në stadiumin “Goodison Park” të luhej të shtunën, por shkaku që “Eurovisioni” mbahet në Liverpool dhe finalja e kësaj ngjarje është të shtunën, dëshira e tij nuk mund të plotësohej për arsye sigurie. Kjo mund të jetë disavanatazh për Cityn ndaj Realit. Ekipi anglez po kërkon kalimin në finalen e Championsit pas barazimit 1:1 në duelin e parë të luajtur në Madrid. Skuadrat e Carlo Ancelottit, që tashmë është dorëzuar për titullin e kampionit të Spanjës, do të përballet me Getafen në La Liga të shtunën dhe do të kenë një ditë pushim shtesë për ndeshjen e së mërkurës. Barazimi në ndeshjen e parë e lë shumë të hapur sfidën, por Guardiola tha se të gjitha mendimet për Ligën e Kampionëve ishin zhdukur përpara udhëtimit tek Evertoni.

Çdo gabim eventual në “Goodison Park” do t'ia hapte sërish derën Arsenalit të vendit të dytë, i cili është vetëm një pikë prapa Cityt. Kampioni në fuqi, City, ka edhe një ndeshje më pak të luajtur.

“Mendimi im është vetëm Evertoni. Njëmbëdhjetë muaj punoj për Premier League dhe nuk dua të shpërqendrohem për Real Madridin sepse nuk do të kem kohë”, është shprehur Guardiola të premten.

“Ne nuk mund të luajmë të shtunën për shkak të “Eurovisionit” apo diçka të tillë në Liverpool dhe nuk kemi lojtarë të mjaftueshëm për të përballuar ndonjëherë dy ngjarje të rëndësishme. Por, duhet të përshtatemi edhe pse do të preferoja të luanim të shtunën për të qenë në gjendje të përgatitemi më mirë për Realin”.

City mund të përballet me një sfidë të vështirë kundër një skuadre të Evertonit, e cila mundi 5:1 Brightonin në ndeshjen e fundit, për t’i mbajtur gjallë shpresat për mbijetesë.

Evertoni zë vendin e 17-të në tabelë dhe ka vetëm dy pikë më shumë se Leicesteri që është në zonën e rënies në Championship.

Mbrojtësi i Realit, Dani Carvajal, ka sugjeruar se ekipi spanjoll mund të përfitojë nga intensiteti i ndeshjeve të Cityt, por Guardiola është i bindur se lojtarët e tij mund ta përballojnë këtë sfidë.

“Çdo lojtar është i gatshëm të luajë dhe ta japë kontributin e tij”, tha ai. “Kam menduar shumë për një zëvendësim në Bernabeu. Por në atë moment ne nuk kishim nevojë për këtë, nuk kishim nevojë për një lojtar për të rritur ritmin. Të gjithë do të jenë të rëndësishëm pasi ne kemi shumë ndeshje dhe të gjithë janë gati”, është shprehur Guardiola.

Trajneri i Realit, Ancelotti, ka paralajmëruar se për duelin me Getafen do t’i pushojë disa prej lojtarëve kryesorë për të qenë plotësisht gati për ndeshjen e kthimit ndaj Cityt. Sipas Ancelottit, disa lojtarë të Realit tashmë janë të lodhur nga numri i madh i ndeshjeve. Mediumet spanjolle kanë raportuar se bëhet fjalë për Karim Benzeman që nuk po stërvitet fare, pastaj Vinicius Juniorin, David Alaban e disa të tjerë.