Xhiroja e 34-t me ndeshje vendimtare

Xhiroja e 34-t e elitës së futbollit të Kosovës mund të jetë vendimtare në luftën për titull, por edhe për vendin e tretë dhe për mbetje në Superligë.
Të gjitha ballafaqimet e kësaj xhiroje do të luhen të dielën dhe nisin nga ora 15:00.
Për titull kampioni janë në garë Drita dhe Ballkani, që kanë nga 66 pikë.
Në garë për vendin e tretë janë Gjilani me 51 pikë dhe Prishtina e Dukagjini, që janë në pozitën e katërt e të pestë me nga 44 pikë. Gjilani në fakt është shumë afër ta sigurojë vendin e tretë.
Ndërkohë për mbetje në Superligë luftojnë Malisheva e pozitës së shtatë me 39 pikë, Trepça ’89 e vendit të tetë me 37 pikë, si dhe Ferizaj me 35 pikë në vendin e parafundit, përkatësisht të nëntë.
Drenica tashmë është përshëndetur nga elita e futbollit kosovar. Për herë të parë në histori të klubit bie në Ligën e Parë.
Dy skuadrat e fundit bien, derisa skuadra e pozitës së tetë luan ndeshje barazhi.
Deri në fund të kampionatit kanë mbetur edhe tri xhiro për t’u zhvilluar.
Të dielën dy skuadrat e kreut të tabelës do të kenë takime të vështira.
Drita në fushën me bari sintetik zhvillon derbin lokal me Gjilanin, por në cilësinë e mysafires. Është derbi i gjashtë rresht që do të luhet pa tifozë, në mungesë të një stadiumi që plotëson kriteret. Stadiumi në Gjilan është jashtë përdorimit për shkak të një procesi thuajse të turpshëm të rinovimit.
Gjilani kërkon fitoren që të sigurojë vendin e tretë dhe daljen në kualifikimet e Ligës së Konferencës. Në derbin e qytetit nuk ka fituar në pesë rastet e kaluara. Dy ndeshje i ka humbur, ndërsa tri ballafaqimet e tjera janë mbyllur baras.
Për herë të fundit Gjilani kishte fituar më 25 nëntor të vitit 2021.
Lojtarët e trajnerit Zekirija Ramadani shpresojnë të marrin rezultat të mirë, marrë parasysh ecurinë pozitive në gjashtë ndeshjet e fundit në Superligë, ku kanë marrë katër fitore e dy barazime. Gjilani është edhe në finale të Kupës së Kosovës me Prishtinën. Fituesi i Kupës e ka vendin e sigurt në kualifikimet e Ligës së Konferencës.
Drita e trajnerit Akis Vavalis kishte dhjetë ndeshje pa disfatë në Superligë, me gjashtë fitore e katër barazime dhe kryesonte në tabelë. Por, disfata në xhiron e fundit në shtëpi nga Ballkani, ka bërë që “bardhekaltrit” të vihen në presion në garën për titull kampioni.
Ballkani i trimëruar nga fitorja në Gjilan në fundjavën e kaluar, do të luajë kundër Llapit në Suharekë.
Nga tri përballjet e këtij edicioni, Llapi ka fituar dy ndeshje ndaj Ballkanit, ndërsa një tjetër e ka fituar kampioni në fuqi. Takimet e këtyre dy skuadrave kanë dhuruar gjithmonë shumë gola, por edhe kanë qenë të tensionuara.
Llapi do të mundohet ta shmangë disfatën në mënyrë që të mos rrezikojë të bie në barazh. Aktualisht ka 42 pikë në pozitën e gjashtë.
Duel vendimtar për pozitën që dërgon në barazh do të ketë Ferizaj, që në shtëpi e pret Trepçën ’89.
Vendimtare mund të jetë edhe ndeshja ndërmjet Malishevës dhe Prishtinës.
Dukagjini pritet ta ketë punën më të lehtë në këtë xhiro, pasi një fitore të mundshme në udhëtim te Drenica, do t’ua rriste apetitet për të zënë një vend që dërgon në garat evropiane.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.