Peja e ka barazuar serinë e finales së plejofit në Superligën A në konkurrencën e meshkujve, dhe vazhdon luftën për ta mbrojtur titullin e kampionit. Pejanët të enjten mbrëma në palestrën “Karagaçi” në Pejë, fituan ndaj Ferizajt me rezultatin 3:1 në sete.
Ndeshja ishte dramatike, ndërsa u vendos në setin e katërt. Setin e parë e fitoi Peja me rezultatin 25:23.
Ferizaj u këndell në setin e dytë dhe fitoi me rezultatin 25:22. Dy setet e fundit i dominoi Peja për fitoren e madhe.
Fillimisht fitoi 25:15 dhe në setin e katërt, që u vendos krejt në fund, triumfoi 25:23. Me këtë fitore, Peja ka bërë që ndeshja finale dhe vendimtare për titull të kampionit të edicionit të sivjetmë, të luhet në palestrën “Bill Klinton” në Ferizaj. Ballafaqimi i pestë është caktuar të luhet të shtunën në orën 20:10.
Seria finale tani është 2:2, ndërsa fituesi i atij takimi do të shpallet kampion në elitën e volejbollit kosovar për sezonin 2022/2023. Peja është kampion në fuqi i Superligës së Kosovës në volejboll.