Sport

Hendboll, Besa Famgas fiton pa telashe ndaj Vushtrrisë

Pasi u mposht në finale të Kupës së Kosovës të dielën nga Trepça, Besa Famgas ka kthyer vëmendjen në elitën e hendbollit kosovar.

Dhe të enjten në palestrën “Karagaçi” në Pejë, Besa Famgas fitoi pa telashe në ndeshjen e parë gjysmëfinale përballë Vushtrrisë me rezultatin 33:23.

Besa, që e kërkon titullin e 19-të në histori të hendbollit të Kosovës dhe 10-tin rresht, e nisi me epërsi ndeshjen dhe nuk e lëshoi atë deri në fund.

Pjesën e parë e mbylli me tetë gola epërsi, 19:11.

Njësoj vazhdoi edhe në pjesën e dytë për të triumfuar në fund me 10-të gola dallim.

Denis Sabanoviq ishte golashënuesi më i mirë te pejanët me tetë gola të shënuar, kurse në fitore kontribut të madh dhanë edhe Egzon Gjuka dhe Arbios Mushkolaj që realizuan nga shtatë gola.

Te skuadra vushtrriase, gjashtë gola i pati Felippe Teixeira, kurse me pesë gola ndeshjen e mbylli Nemanja Drakuloviq.

Besës i duhet edhe një fitore apo edhe një barazim për të kaluar në finale. Ndeshja kthyese luhet në Vushtrri të dielën në orën 19:00.

Fituesi takohet në finale me fituesin e ballafaqimit tjetër ndërmjet Trepçës e Prishtinës. Trepça të mërkurën e fitoi ndeshjen e parë.