Sport

Trajneri i Baselit i del në mbrojtje Xhakës

Trajneri i Baselit, Heiko Vogel, ka thënë se është i pafalshëm gjesti të cilin e bëri pak ditë më parë Taulant Xhaka.

Por ai ka thënë se të gjithë bëjnë gabime. Vogel ka thënë se Xhaka është lider i Baselit. “Përveç fushës, ai kujdeset edhe jashtë saj për djemtë. Ai drejton, lavdëron dhe jep shembull.

Taulanti në thelb është lojtar emocional. Është e pafalshme ajo që bëri, edhe ai e di këtë, por të gjithë bëjnë gabime”, ka thënë Vogel. Baseli të enjten do të paraqitet kundër Fiorentinas në kuadër të Ligës së Konferencës. Ndeshja nis në orën 21:00. Xhaka humbi kontrollin në ndeshjen e Baselit ndaj Zuerichut. Fillimisht kapi për fytyre Antonio Marchesanon e më pas goditi me kokë në trup Nikola Katiqin. Ndeshjen shumë kundërthënëse të së dielës e fitoi Zuerichu 2:0, me gola të shënuar në minutat shtesë. Të hënën Xhaka kërkoi falje për veprimin, përmes një postimi në “Instagram”. Ai është kapiten i Baselit.