Trepça është fituese e Kupës së Kosovës në hendboll. Në ndeshjen skajshmërisht dramatike, Trepça e mposhti Besa Famgasin me rezultatin 40:39. Fituesi është përcaktuar vetëm pas ekzekutimit të penalltive. Madje plot 11 penalltive.
Për skuadrën mitrovicase është trofeu i parë pas plot 21 vjetësh. Kupën e Kosovës e kishte fituar edhe në vitin e largët 2002. Kupën e ka fituar edhe një herë në vitin 1994. Pra gjithsej ka tri kupa, ndërsa ka ndërprerë dominimin e Besës së Pejës në këtë garë. Besa Famgas ka 14 kupa dhe ishte në kërkim të kupës së 15-të.
Por të dielën mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë festuan “xehetarët”.
Ata gjatë tërë ndeshjes ishin prapa në rezultat. Por nuk janë dorëzuar. Kanë barazuar shumë herë, ndërsa në epërsi kanë kaluar vetëm në minutën e 58-të, 31:30. Besa më pas ka barazuar në 31:31, por Trepça prapë doli para, 32:31. Deniz Terziqi realizoi penallti për 32:31 pak sekonda para fundit. Por gjatë kthimit ai u ndal në mesin e fushës dhe pengoi Besën të nisë aksionin. Kështu Terziqi u ndëshkua me karton të kuq, ndërsa Besës i takoi penallti. Penalltinë e realizoi Egzon Gjuka për 32:32. Kështu fituesi përcaktohej me penallti. Pas serisë prej pesë penalltive nuk kishte fitues. U dalluan portierët në të dy anët.
U gjuajtën edhe nga pesë penallti të tjera. Prapë nuk kishte fitues. Dhe vetëm në gjuajtje e 11-ta me radhë, Trepça realizoi e Besa dështoi.
Kështu nisi festa pasiononte e Trepçës dhe shikuesve të saj në palestër. Ndërkohë, Besa e përjetoi me lot humbjen në finale.
Kupën, kapitenit të Trepçës, Sali Maxhera ia dorëzoi kryeministri Albin Kurti. Pivoti Maxhera u shpall edhe lojtari më i vlefshëm i turneut të Kupës së Kosovës.
Deniz Teriziqi ishte më efikasi te Trepça me 14 gola. Shtatë i kishte Lulzim Shabani, ndërsa gjashtë i realizoi Maxhera. Te Besa, Egzon Gjuka i shënoi tetë gola, ndërsa nga shtatë i kishin Jon Muqolli e Arbios Mushkolaj.
Turneu i Kupës i lë vend plejofit. Ndeshjet e para javë mesjavën e ardhshme.
Box ****
Istogu fiton Kupën e Kosovës në hendboll
Istogu e ka fituar Kupën e Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave. Kupën e ka fituar për herë të pestë brenda gjashtë vjetëve.
Të dielën në Prishtinë, Istogu në finale e mposhti Vushtrrinë me rezultat bindës, 32:21. Istogu ishte bindës edhe në gjysmëfinale ndaj Ferizajt dhe është favorit edhe për titull të kampionit. Nuk ka asnjë humbje këtë edicion.
Në finale nuk kishte fare konkurrencë. Istogu nisi herët shkëputjen dhe më pas mbajti epërsi të lartë deri në fund.
Albina Rugova ishte më efikasja tek Istogu me shtatë gola. Nga katër i shënuan Dajana Milaniq, Pranvera Ferataj e Dayane Da Rocha. Tre gola i kishte Tainara Luna Goncalves, që u shpall më e mira e turneut final të Kupës.
Te Vushtrria, Burneta Rama i shënoi gjashtë gola, ndërsa nga pesë i kishte Kosovare Avdiu.