Gara për titull të kampionit të Kosovës në futboll është sërish plotësisht e hapur. Tri xhiro para fundit, Drita e Ballkani kanë nga 66 pikë në pozitat një e dy.
Ballkani është kthyer fuqishëm në garë me fitoren 2:1 të shënuar të dielën në Gjilan ndaj Dritës. Ishte kryendeshja e xhiros së 33-të të elitës së futbollit kosovar.
Kampioni aktual fitoren e siguroi vonë.
Në minutën e 85-të, Lumbardh Dellova u shkëput lartë në zonë dhe me goditje të fortë me kokë mposhti portierin e Dritës, Florjan Smakiqi. Nga këndi për Dellovën krosoi Armend Thaqi.
Pas pjesës së parë rezultati ishte 1:1, ndërsa vendasit në pjesën e dytë kishin më shumë nga loja. Por gol realizoi Ballkani që kështu garën për titull e bënë shumë interesante.
Ballkani kaloi në epërsi 1:0 në minutën e 11-të. Meriton Korenica shënoi gol të bukur. Për 1:1 realizoi Muharrem Jashari në minutën e 43-të.
Në xhiron e ardhshme Ballkani e pret Llapin, derisa Drita luan derbin lokal me Gjilanin.
Në xhiron e parafundit, Drita e pret Malishevën, derisa Ballkani e pret Ferizajn. Në xhiron e fundit, Ballkani luan në udhëtim ndaj Gjilanit, ndërsa Drita në udhëtim ndaj Drenicës tashmë të dorëzuar.