Palestra e vogël në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, në fundjavë do të jetë e rezervuar për hendboll. Në palestrën kryesore në vend do të zhvillohet turne final i Kupës së Kosovës.
Të shtunën luhen katër ndeshjet gjysmëfinale, dy te hendbollistët dhe dy te hendbollistet. Të dielën janë ndeshjet finale.
Gjysmëfinalja e parë te hendbollistët është mes Rahovecit dhe Besa Famgasit. Zhvillohet prej orës 15:00. Besa e Pejës ka shumë vjet që dominon hendbollin kosovar. Është fituese në fuqi e Kupës, ndërsa e synon trofeun për herë të 15-të. Besa Famgas e ka përfunduar edicionin në vendin e parë, por synon fillimisht Kupën.
Rahoveci ka mbetur jashtë plejofit dhe për herë të parë paraqitet në turneun final të Kupës. Vlerësohet se forcimi i Rahovecit ka sjellë risi në hendbollin kosovar.
“Është ndeshje historike pasi që është hera e parë që klubi ynë kualifikohet në këtë fazë në garën e Kupës. Ekipi është i përgatitur për të dhënë maksimumin dhe për të sfiduar ekipin më të fortë në ligë në vitet e fundit”, kanë thënë te Rahoveci.
Gjysmëfinalja e dytë është në mes të Trepçës dhe Prishtinës. Fillon në ora 19:00. Skuadra mitrovicase e ka përfunduar stinorin e rregullt në pozitën e dytë, ndërsa Prishtina në të tretën. Dy skuadrat do të takohen edhe në gjysmëfinale të plejofit, por fillimisht kërkojnë suksesin në ndeshjen e së shtunës.
Trepça e ka fituar Kupën e Kosovës dy herë, në vitin 1994 dhe 2002. Ndërkohë Prishtina e ka fituar Kupën katër herë, së fundi në vitin 2013.
Te hendbollistet, favorite vlerësohet skuadra e Istogut. Istogu ka fituar të gjitha ndeshjet në edicionin e rregullt kurse vjet fitoi dy trofetë.
Istogu në gjysmëfinale takohet me Ferizajn, nga ora 17:00. Në gjysmëfinalen e parë mes Vushtrrisë dhe Prishtinës, favorite vlerësohet skuadra vushtrriase. Kjo ndeshje luhet prej orës 13:00.