Sport

FFK-ja licencohet nga MKRS-ja

Saga e licencimit të Federatës së Futbollit të Kosovës në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka marrë fund të premten. Nëpërmjet një njoftimi në faqen e saj zyrtare, FFK-ja ka njoftuar se e ka përmbyllur me sukses procesin e licencimit nga MKRS-ja, sipas udhëzimit të ri administrativ për licencimin e federatave.

Ministri i MKRS-së, Hajrulla Çeku, e ka nënshkruar vendimin për licencimin e FFK-së, bazuar në rekomandimin e Komisionit për Licencimin e Federatave Sportive (KVLFS).

“Ashtu sikurse edhe federatat tjera sportive të cilat ishin të përfshira në këtë proces, edhe FFK pas plotësimit të të gjitha kritereve dhe kushteve të kërkuara, është licencuar për ciklin aktual olimpik. Duke pasur parasysh se FFK është organizata më e madhe sportive në vend dhe me numrin më të madh të klubeve, ky proces ka marrë kohë të konsiderueshme deri te përmbyllja e licencimit. Por pas një angazhimi të madh të administratës së FFK-së, klubeve dhe ministrisë është arritur të plotësohen kushtet për licencim”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Në fund, FFK-ja ka përgëzuar zyrën e sekretarit me administratën, si dhe të gjitha klubet që kanë punuar siç thuhet me përkushtim në këtë proces të ngarkuar dhe me kushte specifike.

“Përmbyllja e këtij procesi tregon se FFK është duke punuar drejt standardit më të lartë të menaxhimit dhe transparencës si në federatë, ashtu edhe në klube”, ka shkuar FFK-ja.