Sport

Drita fiton në Podujevë dhe shkëputet në tri pikë

Drita ka bërë një hap gjigant drejt titullit të kampionit të Kosovës në futboll. Të enjten në Podujevë, në kuadër të xhiros së 32-të të Superligës së Kosovës, Drita fitoi 2:0 ndaj Llapit.

Fitorja i ka mundësuar skuadrës gjilanase që të shkëputet në tri pikë ndaj Ballkanit, rivalit të vetëm për titull të kampionit. Katër xhiro para fundit, Drita udhëheq në tabelë me 66 pikë. Ballkani është i dyti me 63 pikë. Dallimi është rritur në tri pikë, pasi Ballkani u ndal në barazim 1:1 në ndeshjen ndaj Prishtinës.

Te fitorja, Drita erdhi në pjesën e dytë. Blend Baftiu shënoi për 1:0 në minutën e 58-të, ndërsa në minutën e 93-të, Raddy Ovoukan shënoi për 2:0.

Drita në xhiron e ardhshme e pret Ballkanin dhe mund ta bëjë hapin vendimtar drejt titullit të kampionit.

Trajneri i Dritës, Akis Vavalis, është shprehur shumë i lumtur për fitoren.

“Jam shumë i lumtur për fitoren. Nuk kemi nisur mirë, në 20, 25 minutat e parë nuk kemi reaguar ashtu si duhej. Në përgjithësi pjesa e parë nuk ishte ajo që kemi pritur. Në pushim kishim kohë të mjaftueshme për të folur dhe kemi reaguar në pjesën e dytë. I kemi shënuar dy gola dhe e kemi arritur fitoren. Këto janë ndeshje që duhen fituar, pavarësisht se a luan mirë. Por mund të them se pjesa e dytë ishte e mahnitshme. I falënderoj ‘Intelektualët’, ishin lojtari ynë i 12-të. Kemi tifozë të shkëlqyer”, ka thënë greku Vavalis. Ai ka dy fitore me Dritën. “Gjëja më e rëndësishme nuk është të dalësh në krye, por të qëndrosh atje, pasi të gjithë duan që të largojnë. Jam i kënaqur me lojtarët e mi dhe pres që të dielën të arrijmë rezultat të mirë”, ka shtuar Vavalis.

Llapi është i gjashti me 41 pikë dhe me gjasa gjithnjë e më të vogla për të dalë në Evropë.

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, e ka arsyetuar humbjen me mungesat që kishte.

“Nisëm mirë takimin, por u paraqitëm pa tre lojtarët kryesorë si Ilir Krasniqi, Kushtrim Shabani dhe Arbër Bytyqi. Kemi qenë ekip i përgjysmuar, pasi një lojtar si Ilir Krasniqi nuk mund të zëvendësohet lehtë. Kemi bërë maksimumin në këtë takim dhe sikur të shënonim nga penalltia gjërat do të shkonin më ndryshe. Drita nuk bëri më shumë se ne. Ia mundësuam vetë fitoren. Ky është futbolli, por kur mungojnë lojtarët kryesorë është e vështirë. Drita nuk tregoi se ka skuadër më cilësore se ne. Nuk po e akuzoj gjyqtarin, por ishte mendoj faull dhe nga ai rast pësuam golin e parë nga një kundërsulm dhe pastaj tentuam të luajmë lojë më sulmuese. Dhe kur angazhohesh në sulm sigurisht se në mbrojtje lë boshllëk. Dritës ia uroj fitoren”, ka thënë Batatina.

Ndërkohë Ballkani vetëm në minutat shtesë ka shmangur humbjen nga Prishtina. Në Suharekë, Prishtina kaloi në epërsi në minutën e katërt shtesë të pjesës së parë. Realizator ishte Leotrim Kryeziu. Për Kryeziun asistoi Shefit Shefiti.

Por suharekasit nuk u ndalën dhe gjetën golin e barazimit në minutën e 94-t. Albion Rrahmani goditi saktë nga zona, derisa Prishtina po numëronte sekondat për të nisur festën.

Ballkani tani do ta ketë dukshëm më të vështirë që ta mbrojë titullin e kampionit. Pos që ka tri pikë më pak, luan në shtëpinë e Dritës në xhiron e ardhshme.

Prishtina mbetet në garë për dalje në Evropë. Është e katërta me 43 pikë.

“Është shumë zhgënjyese kur pëson gol në fund të ndeshjes, por më duhet të përgëzoj lojtarët për angazhimin. Ballkani ka super ekip, kështu që nuk kemi pritur të bëjmë ndonjë paraqitje të mirë, por e kemi ditur se mund ta godasim dhe ashtu ndodhi. Nuk arritëm ta mbajmë epërsinë deri në fund, por barazimi në Suharekë për ne është rezultat i mirë”, është shprehur trajneri i Prishtinës, Debatik Curri. “Para ndeshjes do të ishim të kënaqur edhe me barazimin, por gjatë ndeshjes ishim shumë afër fitores që do të ishte e rëndësishme për ne. Tani, na mbetet të përgatitemi sa më mirë për ndeshjet e tjera dhe të japim më të mirën për të parë se ku do të përfundojmë”.

Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, ka theksuar se skuadra e tij ka dominuar në fushë, por se nuk është shpërblyer për këtë.

“Bëmë golin në minutën e fundit, por kjo nuk ishte loja. Kishim shumë raste. Nëse do t’i realizonim, do të ishim më të qetë. 180 minuta, duke futur edhe lojën e kaluar, kundërshtarët vijnë nga një herë te porta dhe marrim dy gola. Ne kishim shumë raste të humbura sot. Por krenohemi me lojën që luajmë dhe me tifozët që kudo që jemi, në shtëpi apo mysafir, stadiumi është i mbushur me shikues. Pas tri ditësh do të luajmë në Gjilan me një kundërshtare si Drita, që është tri pikë para nesh. Një nga komponentët e futbollit është edhe komponenti psikologjik. Nuk është e lehtë ta komandosh pjesën e parë dhe të pësosh gol në minutat shtesë të pjesës së parë. Edhe lojtarët janë njerëz. Në fillim të pjesës së dytë nuk u organizuam mirë në aspektin ofanziv, kundërshtari u kthye në mbrojtje. Por mentaliteti fitues që ka ekipi solli golin e barazimit. Barazimi na jep shansin të përballemi direkt me kundërshtarin”, ka thënë Daja.

Superliga e futbollit – XXXII

Gjilani – Dukagjini 2:0

Ferizaj – Drenica 2:0

Malisheva – Trepça ’89 1:0

Ballkani – Prishtina 1:1

Llapi – Drita 0:2

Image

Në xhiron e 33-të, në fundjavë, takohen: Dukagjini – Malisheva, Trepça ’89 – Drenica, Drita – Ballkani, Llapi – Ferizaj, Prishtina – Gjilani