Klubi i futbollit, Prishtina, ka bërë publike kërkesën që gjyqtari Mervan Bejtullahu të mos ndajë drejtësitë në ndeshjet e këtij klubi, deri në fund të sezonit aktual e as edicionin e ardhshëm.
Në një reagim në Facebook, Prishtina ka thënë se ka arsye të shumta për këtë kërkesë.
“Njoftojmë opinionin publik, që Klubi i futbollit, FC Prishtina, sot zyrtarisht ka bërë kërkesë në FFK, që gjyqtari, Mervan Bejtullahu është i padëshiruar në ndarjen e drejtësisë në ndeshjet tona. Bejtullahu më nuk është i dëshiruar të na i gjykojë ndeshjet deri në mbarim të këtij edicioni dhe të njëjtit do t’i vazhdohet ndalesa edhe për edicionin e ardhshëm. Për të treguar arsyet e këtij vendimi tonë drastik janë të shumta, që nga fillimi i këtij edicioni e deri te ndeshja e fundit me Llapin kur anulohet goli i rregullt. Ne si klub jemi lodhur duke u frikësuar dhe duke u marrë me të njëjtin gjyqtar në çdo dy-tre ndeshje sa ai na delegohet”, thuhet në reagim.
Prishtina ka thënë se s’ka probleme me gjyqtarë të tjerë, por te Bejtullahu ka deklaruar se “e ka tepruar në çdo gjë dhe tani më është bërë e tepërt”.
Klubi nga kryeqyteti ka kujtuar se Bejtullahu nuk gjykon ndeshjen e Ballkanit dhe ka paralajmëruar se do t’i dërgojë në UEFA e FIFA videoincizime “për gabimet e marra në dëm të ekipit tonë nga ky gjyqtar që njëherësh bartë edhe stemën e FIFA-s”.