Sport

Khomutov, shpallet “Ylli i Javës”

Futbollisti i Dukagjinit, ukrainasi Vladyslav Khomutov është shpallur futbollisti më i mirë për xhiron e 31-të të Superligës së Kosovës në futboll.

Ai ka marrë çmimin “Ylli i Javës”, ndërsa vlerësimi i më të mirit është bërë nga një komision i veteranëve të futbollit, i cili është përzgjedhur nga Federata e Futbollit të Kosovës.

Khomutov ishte lojtari më i dalluar i xhiros së fundit pas paraqitjes së mirë që e pati me fanellën e Dukagjinit ndaj Ballkanit. Në fakt, krahas paraqitjes së mirë në këtë ndeshje, Khomutov shënoi edhe gol në barazimin 1:1.

Me të pranuar çmimin, Khomutov ka falënderuar bashkëlojtarët e tij, shtabin teknik të Dukagjinit dhe të gjithë njerëzit e klubit, përfshirë edhe tifozët. Ai ka thënë se synimi i Dukagjinit këtë edicion është dalja në garat evropiane.

“I kemi shumë të rëndësishme 5 ndeshjet e fundit dhe do të luftojmë deri në fund që ta jetësojmë ëndrrën e KF Dukagjinit dhe të qytetit të Klinës për Evropë. Besoj që ne do të jemi njëra nga 4 ekipet, të cilat do të garojnë në Evropë këtë edicion”, ka thënë Khomutov.

Aktualisht, Dukagjini zë vendin e pestë në tabelë me 41 pikë të mbledhura, një më pak se Prishtina që renditet e katërta.