Sport

Bajoku i dëshpëruar, i shtyhet ëndrra për të boksuar në Botëror

Shpejtim Bajoku

Ka disa vjet që Shpejtim Bajoku vlerësohet boksieri më i mirë në Kosovë. Një prej ëndrrave të 22-vjeçarit është që një ditë të fitojë medalje në Kampionatin Botëror të boksit amator. Por për realizimin e ëndrrës, boksieri kosovar duhet të presë ende. Atij nuk po i lejohet të marrë pjesë në kampionatet botërore.

Dy vjet më parë boksierët e Kosovës nuk janë lejuar të hyjnë në Serbi për të garuar në Kampionatin Botëror të mbajtur në Beograd. Tani kanë mbetur jashtë Botërorit, që të hënën filloi në Tashkent të Uzbekistanit. Deri të shtunën, Federata Ndërkombëtare e Boksit Amator (IBA) nuk ktheu përgjigje në kërkesën e Federatës kosovare të boksit për pajisje të ekipit me viza për hyrje në Uzbekistan. IBA u lajmërua vetëm të shtunën mbrëma, por tashmë ishte vonë sipas FBOXK-së. Shorti u tërhoq të dielën dhe meçet e para u zhvilluan të hënën.

Bajoku është dashur të jetë në krye të ekipit në Botëror. Ai ka bërë gati valixhet. Por në vend që të niset për në Tashkent, u kthye në shtëpi.

“Është dëshpërim. Është dëshpërim i madh”, ka thënë Shpejtim Bajoku të hënën për KOHËN.

Ai ka treguar që boksierët e përzgjedhur për Botëror ishin të grumbulluar në Prishtinë. Kanë qenë të vendosur në një hotel.

“Kemi pasur përgatitje të përbashkëta dyjavore. Valixhet i kemi bërë gati për udhëtim. Por na lajmëruan se nuk na i lëshuan vizat dhe u detyruam të kthehemi në shtëpi. Jemi shumë të dëshpëruar. Kemi qenë gati për të garuar dhe për të pasur sukses në Botëror. Por nuk u lejuam të udhëtojmë. Dhe kjo fatkeqësisht po ndodh për herë të dytë. Unë ende nuk kam boksuar në Botëror për të rritur. Sa e di nuk ka boksuar asnjë boksier i gjeneratës sonë. Kjo nuk është e drejtë”, ka shtuar Bajoku.

Ai vjet fitoi medalje të bronztë në Lojërat Mesdhetare në Oran të Algjerisë. Falë asaj medaljeje u shpall sportisti më i mirë në Kosovë për vitin 2022, nga Komiteti Olimpik i Kosovës.

Bajoku është anëtar i klubit Gollaku. Të përzgjedhur për Botëror ishin edhe Bashkim Bajoku e Loris Idrizi. Bashkimi është vëllai i Shpejtimit.

Dëshpërimin, Shpejtim Bajoku shpreson ta kthejë në forcë.

“Nuk do të ndalemi. Do të vazhdojmë me përgatitje për Lojërat Evropiane. Synoj suksesin në këtë ngjarje dhe po ashtu sigurimin e normës olimpike. Paraqitja në Olimpiadë është ëndrra jonë e madhe. Do të jap maksimumin në stërvitje dhe në garën në Lojërat Evropiane”, ka theksuar Shpejtim Bajoku.

Lojërat Evropiane mbahen në Poloni prej 21 qershorit deri më 2 korrik. Kosova në këtë ngjarje shumësportëshe do të prezantohet me shtatë boksierë gjithsej.