Sokoli vlerëson se fitorja ndaj Drenicës ishte e domosdoshme
Trajneri i Malishevës, Bylbyl Sokoli, ka thënë pas ndeshjes se fitorja ndaj Drenicës ishte e domosdoshme në luftën për mbijetesë.
Malisheva të shtunën fitoi 2:1, në rezultat që e mban në garë për mbijetesë.
“Ishte ndeshje shumë e vështirë, me shumë ngarkesa. Ishte fitore e domosdoshme. Atë e arritëm dhe tash mendojmë për ndeshjen e radhës. Këta djelmosha e merituan fitoren. Gjatë tërë kohës u angazhuan maksimalisht. Kemi bërë gabime që duhet të evitohen natyrisht. Ne shkojmë për fitore ndaj Trepçës ’89. Do të jetë domethënëse për ne. Me këto dy fitoret e fundit kemi bërë hap të sigurt pas humbjes nga Gjilani. Duhet kërkuar fitoren për t’i ikur barazhit”, ka thënë pas ndeshjes Sokoli.
Para fitores ndaj Drenicës, Malisheva fitoi edhe ndaj Ferizajt.