Sport

Tuchel nuk brengoset, i bindur se Bayerni do të shpallet kampion

Bayern Munichu është në ndjekje të Borussia Dortmundit në garën për titullin e kampionit në Bundesligë. Mirëpo, trajneri i Bayernit, Thomas Tuchel, nuk është aspak i brengosur për ekipin e tij. Ai ka besim se në fund Bayerni do ta fitojë titullin e kampionit.

Tuchel të premten insistoi se situata aktuale nuk është e pashpresë dhe se Bayerni mund ta mbrojë trofeun dhe të shpallet për herën e 11-të rresht kampion i Gjermanisë.

Bavarezët u zhvendosën në vendin e dytë pas humbjes 3:1 të javës së shkuar nga Mainzi. Ndërkohë, të dielën Bayerni e pret Hertha Berlinin, ekipin e fundit në tabelë.

Dortmundi të premten luajti vetëm 1:1 në udhëtim te Bochumi. Tani i ka 61 pikë, dy më shumë se Bayerni. Skuadra bavareze mund të kthehet në vendin e parë që të dielën.

“Situata ndoshta është bërë paksa më e vështirë për ne tani, por nuk është e pashpresë. Ende kam ndjenjën dhe besimin se do ta ndërrojmë shpejtësinë në këto ndeshjet e fundit për ta mbyllur sezonin, ashtu siç duam të gjithë, duke e ngritur trofeun e kampionit”, insistoi Tuchel. “Jemi të qetë dhe marshojmë drejt titullit të 11-të rresht për të vendosur një tjetër rekord në futbollin gjerman”.

Që nga ardhja në krye të Bayernit në fund të muajit mars, Tuchel e ka parë skuadrën të eliminohet nga Kupa e Gjermanisë dhe Liga e Kampionëve, ndërsa ka humbur edhe kryesimin në Bundesligë.

Tuchel do të jetë pa francezin Dayot Upamecano, për ndeshjen ndaj Herthas, pasi mbrojtësi pësoi një lëndim muskulor në stërvitje dhe do të mungojë për rreth dy javë, tha trajneri. Hertha është në vendin e fundit, por ka kthyer ish-trajnerin Pal Dardai në një përpjekje të fundit për të shmangur rënien nga elita e futbollit gjerman.

“Hertha është pak e paparashikueshme tani me ndryshimin e trajnerit, por ne duhet ta fitojmë këtë ndeshje sikurse të gjitha të tjerat pas saj për ta prekur titullin. Përfundimisht na duhet fitorja për të dalë nga situata aktuale dhe për t’i bërë edhe tifozët e klubit që të besojnë sikurse ne. Të flasim për situatën tonë në renditje për momentin nuk ka vërtet kuptim. Ne jemi shumë të sinqertë, pasi në fund do ta dëshmojmë këtë. Kemi lëshuar pesë pikë në dy ndeshjet e fundit, por nuk është nevoja të brengosemi për këtë pasi do të rikthehemi fuqishëm në krye”.

Tuchel nuk ka dashur të flasë për Dortmundin, duke insistuar se nuk do ta shikojë asnjë ndeshje të ish-ekipit të tij deri në fund të sezonit. Sipas tij, Bayernit i mjaftojnë pesë fitore për titull.

“Nuk e di nëse do ta shikoj Dortmundin. Situata jonë është shumë e qartë. Duhet të marrim 15 pikë. Tani bëhet fjalë vetëm për ne”, insistoi Tuchel, i cili në këtë post zëvendësoi Julian Nagelsmannin e shkarkuar.