Sport

Qerimi: Humbëm shumë shanse

Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll është mposhtur të enjten mbrëma në Pallatin e Sporteve në Prishtinë me rezultatin 26:24 nga Përfaqësuesja e Malit të Zi.

Ishte ndeshja e parafundit e fazës së dytë kualifikuese për Evropianin e vitit të ardhshëm.

Pas ndeshjes, përzgjedhësi Bujar Qerimi ka thënë se Kosova është në rrugë të mbarë për ciklet e ardhshme kualifikuese.

Ai theksoi se Kosova të enjten dështoi vetëm në shanset përballë portierit kundërshtar.

“Po na përsëritet kjo situatë, e kam thënë shumë herë. Ndoshta ma kanë zënë për të madhe por kjo është e vërtetë. Në këtë fazë të garave ka portierë të mëdhenj. Në pjesën e parë kemi pasur shumë topa të humbur përballë portierit. Nuk kemi pasur probleme në sulm sa kemi pasur problem me realizim të golave. Në pjesën e dytë kemi aplikuar lojën me 7 lojtarë kundër 6 dhe është interesant. Ia kemi dalë në pjesën e dytë. Ne jemi në rrugë të mirë, jemi kthyer. Ne duhet të përmirësohemi në finalizimin e rasteve, por koha e përgatitjeve për ndeshje është e shkurtër. Nesër e pasnesër do të kemi nga një stërvitje e më pas kemi lojën me Slloveninë. Megjithatë, jam i bindur se Kosova është në rrugë të mirë. Loja e sotme ka treguar se jemi një hap përpara”, është shprehur Qerimi pas ndeshjes.

Berisha thotë se Mali i Zi kishte eksperiencën

Portieri Haris Berisha ishte prej më të mirëve në ndeshjen kundër Malit të Zi.

Kosova u mposht 26:24 të enjten mbrëma në Prishtinë, ndërsa Berisha nga 39 gjuajtje pati 16 pritje.

Sipas portierit të “Dardanëve”, Mali i Zi fitoi falë eksperiencës.

“Kemi pasur mundësinë sot që të tregojmë më të mirën ndaj Malit të Zi. E dimë të gjithë se çfarë cilësish ka Mali i Zi. Kemi fituar përvojë të mirë. Rezultatin e kemi afruar në 2-3 gola, por shpresojmë që paraqitja e sotme të na shërbejë për të ardhmen. Jemi munduar të luftojmë në mbrojtje maksimalisht. Eksperienca e Malit të Zi bëri dallimin. Problemi jonë është në sulm, nuk jemi të koncentruar 100% ndaj portierëve kundërshtarë. Duhet ta rregullojmë këtë situatë. Ne kemi gjeneratë të re dhe shpresoj që në vitet e ardhshme të jemi një Kombëtare shumë e fortë. Uroj të arrijmë fitore edhe ndaj ndonjë skuadre shumë të fortë”, ka thënë portieri Berisha.

Dedaj shpreson që ndaj Sllovenisë të jenë më efikas

Hendbollisti Valon Dedaj ka thënë pas humbjes nga Mali i Zi të enjten mbrëma në Prishtinë se shpreson që ndaj Sllovenisë në ndeshjen e fundit kualifikuese për Evropianin 2024, ai dhe bashkëlojtarët të jenë më efikas.

“Sot kemi luajtur mirë si ekip. Kemi pasur shumë shanse, sidomos në pjesën e parë patëm raste të qindpërqindta. Portieri Nebojsha Simiq luan në Bundesligë dhe ka pritje të shumta edhe atje. Po të kishim fat, do ta kishim rezultatin në anën tonë, madje me dy apo tri gola epërsi. Kështu ndodh kur humb shanse. Ne e dimë se mbrojtjen e kemi pasur gjithmonë të fortë. Harisi na ka shpëtuar sepse në pjesën e parë do të mund të ishim me 10-të gola disavantazh. Kundër Sllovenisë mund të luajmë me sistem 7 kundër 6, ndoshta do të mund të ishim edhe më efikas. Besoj që edhe një vit e gjysmë apo dy, do të mund të kualifikohemi në Evropian apo Botëror. Në fillim kemi humbur ndeshje me diferencë të madhe të golave, ndërsa tani po humbi me dy apo tri gola”, ka deklaruar pas ndeshjes Dedaj.