Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll ka pësuar tjetër humbje në kualifikimet për Euro 2024. Të enjten mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, Kosova u mposht nga Mali i Zi me rezultat 26:24.
Për Kosovën është humbja e pestë nga po aq ndeshje të zhvilluara. Kosova më herët është eliminuar, ndërsa të dielën e luan ndeshjen e fundit në udhëtim ndaj Sllovenisë.
Ndërkohë Mali i Zi ka shënuar fitoren e tretë dhe mbetet fuqishëm në garë për kualifikim në Evropianin e vitit të ardhshëm. I ka gjashtë pikë, sa edhe Bosnjë-Hercegovina. Mali i Zi është i dyti në grup e Bosnja në vendin e tretë. Sllovenia, që udhëheq grupin me tetë pikë, ka siguruar më herët kualifikimin.
Mali i Zi prej fillimit të ndeshjes ishte në epërsi. Në minutën e 27-të u shkëput në pesë gola, 10:5. Pas pjesës së parë rezultati ishte 11:6 për mysafirët. U shqua portieri Nebojsha Simiq që ndali shumë goditje. Ai ndeshjen e përfundoi me plot 18 pritje dhe ishte më meritori për fitoren e Malit të Zi.
Në pjesën e dytë lojtarët e Kosovës tentuan të kthehen në lojë. Në minutën e 42-të u afruan në tri gola, 16:13. Në tri gola u afruan edhe në minutën e 56-të, kur rezultati ishte 24:21 për malazezët. Fundi i ndeshjes i takoi Kosovës që u afrua në dy gola, por pa rrezikuar fitoren e mysafirëve.
Ndeshje të madhe te Kosova kishte portieri Haris Berisha, që bëri 16 pritje. Gjashtë gola nga plot 16 tentime i shënoi Drenit Tahirukaj, ndërsa Kastriot Jupa i kishte pesë gola nga gjashtë tentime. Pesë gola nga nëntë tentime i kishte Egzon Gjuka.
Te Mali i Zi më efikasi ishte Branko Vujoviq me shtatë gola nga dhjetë tentime.