Sport

Xhaka synon finalen e Ligës së Konferencës me Baselin

Baseli është kualifikuar në mënyrë të veçantë në gjysmëfinale të Ligës së Konferencës në futboll.

Pas barazimit 2:2 me Nicen në ndeshjen e parë në shtëpi, Baseli në ndeshjen e dytë ishte duke pësuar 1:0 deri në minutën e 86-të.

Të enjten mbrëma në Nice, Baseli fitoi 2:1 falë golit të shënuar në vazhdime, përkatësisht në minutën e 99-të.

Taulant Xhaka ishte kapiten i Baselit, ndërsa në sulm startoi Andi Zeqiri. Në gjysmëfinale, Baseli luan me Fiorentinan. Ndeshja e parë është më 11 maj në Itali, ndërsa ndeshja e kthimit më 18 maj në Zvicër.

Në gjysmëfinalen tjetër takohen West Hami dhe AZ e Holandës.

“Nëse luajmë si në Francë, çdo gjë është e mundur”, ka thënë Xhaka kur është pyetur për gjasat e Baselit për të kaluar në finale.

“Jemi në gjysmëfinale. Duket mirë, apo jo”, ka shtuar mesfushori luftarak. Ai ka festuar me fanellën me numër 12 për të nderuar tifozët e Baselit që nuk u lejuan në stadium në Francë. “Kjo fitore është për tifozët. Ishte dëshpëruese që nuk ishin këtu me ne. Shpresoj se janë krenarë me ne”, ka thënë Taulant Xhaka.