Përfaqësuesja e Kosovës në futsall (futboll të sallës), ka pësuar disfatë nga Përfaqësuesja e Sllovenisë, në turneun “April Cup” që po mbahet në Poreç të Kroacisë.
“Dardanët” të premten gjatë ditës janë mposhtur nga sllovenët me rezultatin 6:1 në gjysmëfinale të kësaj gare.
Golin e vetëm në këtë ndeshje për Kosovën e shënoi Drilon Maxharraj, nga gjuajtja e lirë.
Ekipi i Kosovës në orët e hershme të mëngjesit të së premtes ka mbërritur në Lubjanë, e më pas ka udhëtuar për në Poreç të Kroacisë. Ka hasur në telashe edhe me pajisje me viza.
Po ashtu kanë munguar edhe katër lojtarë të rëndësishëm si Jeton Rukovci, Melos Kelmendi, Meriom Salihu dhe Mërgim Dervishaj.
Tani Kosova do të luajë edhe një ndeshje të shtunën kundër Malit të Zi, për renditjen përfundimtare të turneut me katër skuadra. Ndeshja kundër Malit të Zi nis në orën 16:00.
Skuadra tjetër pjesëmarrëse është Turqia.