Manchester, 12 prill – Manchester City është me një këmbë në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, pas fitores 3:0 ndaj Bayern Munichut të martën. Fitorja shërbeu si kujtesë e shkëlqimit të trajnerit Pep Guardiola, pavarësisht pritjes së tij të gjatë për ta pushtuar sërish Evropën. Guardiola pretendoi se ishte “shkatërruar emocionalisht” nga tensioni i një nate në të cilën skuadra e tij aktuale tregoi një avantazh që shpesh i mungonte për të kapërcyer vijën në këtë fazë të garës.
Në 12 vjetët që kur fitoi për herë të fundit trofeun evropian si trajner i Barcelonës, Guardiola shpesh është akuzuar për komplikimin e tepërt të gjërave në fazat e eliminimit të Championsit. Kjo përfshinte tri eliminime në gjysmëfinale gjatë kohës së tij në krye të Bayernit midis viteve 2014 dhe 2016. Më së afërmi për t’ia dhënë Cityt lavdinë e shumëpritur në Ligën e Kampionëve, Guardiola ishte në vitin 2021 kur arriti në finale, por u mposht nga Chelsea e Thomas Tuchelit.
Emërimi i Tuchelit si trajner i Bayernit para tri javësh pati një lidhje me këtë. Por, këtë herë gjermani u zhgënjye pasi të gjitha vendimet e Guardiolas dhanë rezultat, për t'ia shkaktuar Bayernit humbjen më të rëndë në Ligën e Kampionëve për gjashtë vjet.
Pas shumë ngatërresash në fillim të sezonit, Guardiola ka vendosur për një mbrojtje të përbërë tërësisht nga qendërmbrojtës natyralë si Nathan Ake, Ruben Dias, John Stones dhe Manuel Akanji. Si rezultat i kësaj, Joao Cancelo ishte në stolin e Bayernit, pasi u lejua çuditërisht të largohej si huazim në janar nga Guardiola. Stones ka tentuar të jetë pasardhësi i portugezit duke vepruar si mbrojtës i djathtë dhe duke lëvizur në mesfushë kur City e ka topin. Por reprezentuesi anglez filloi në qendër të mbrojtjes, me Akanjin që u zhvendos në mbrojtës të djathtë për të përballuar ritmin e Leroy Sanet dhe Kingsley Comanit.
“Ndeshjen që e luajtën të katërt ishte e mahnitshme sepse për të përballuar Leroyn dhe Comanin duhet të jesh shumë i mirë në mbrojtje dhe në duele”, tha Guardiola. “Katërshja e mbrojtjes e përballoi këtë pa stres dhe pa pasur ankth edhe pse e dinte se mund të kishte minuta ku do të vuante, por luftoi deri në fund”.
Për herë të parë City përfundoi një ndeshje në shtëpi duke pasur më pak posedimin të topit, por avancoi me goditjen mahnitëse të Rodrit në pjesën e parë dhe më pas sulmoi pamëshirshëm dhe shfrytëzoi gabimin e Bayernit për ta dyfishuar epërsinë. E shënoi edhe golin e tretë.
“Ne u ndëshkuam brutalisht”, pranoi Tuchel. “Ky ishte niveli më i lartë në futbollin botëror”.
Vendimi i Guardiolas për të tërhequr Bernardo Silvan në pozitën e Riyad Mahrezit u shpagua me paraqitjen e shkëlqyer të mesfushorit portugez, i cili shënoi golin e dytë për Cityn. Në atë moment Julian Alvarez kishte zëvendësuar Kevin De Bruynen në një zëvendësim që ndihmoi në ndryshimin e momentit të Cityt.
“Unë jam këtu për të marrë vendime dhe i marr. Kjo është cilësia ime më e madhe si trajner”, shtoi Guardiola për ndërrimin e De Bruynet. “Në atë moment ne kishim nevojë për energji shtesë me Julianin dhe kjo është arsyeja pse vendosa për ndërrime”.
Dy herë Alvarez ishte shumë afër të shënonte gol, por argjentinasi pati një rol në golin e tretë të Cityt që i dha fund Bayernit. Harkimi i Alvarezit u shndërrua në gol nga Erling Haaland, i cili u shërbye me kokë nga Stones.
Haaland u transferua te City për të bërë dallimin dhe duket se po e bën një gjë të tillë. E njëjta gjë u tha për Guardiolan kur ai u josh për herë të parë nga Manchester City para shtatë vjetësh. Pronarët e Cityt janë ende duke pritur për momentin e lavdisë në Ligën e Kampionëve, por lojtarët e Guardiolas po afrohen gjithnjë e më shumë. Vetëm një rikthim i jashtëzakonshëm i Bayernit javën e ardhshme do t’ia mohonte Cityt kalimin në gjysmëfinale për herën e tretë rresht.