Sport

Pos FFK-së edhe MKRS-ja e vendosur të mos lejojë garat ilegale të Serbisë në Kosovë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka reaguar pasi Federata e Futbollit e Serbisë i shkroi UEFA-s duke kërkuar që të lejohen garat e federatave të Serbisë në territorin e Kosovës.

Ministri Çeku ka shkruar të martën se garat ilegale nuk do të lejohen të organizohen në territorin e Kosovës, ndërsa ka konfirmuar se letra e Federatës së Futbollit të Serbisë ka shtrembëruar realitetin.

Federata serbe të hënën i shkroi UEFA-s, por në letër nuk e ka cekur se organizon gara në territorin e Kosovës. Në letrën e dërguar në UEFA është shkruar se garat e serbëve në Kosovë janë lokale, por nuk është cekur se kush i organizon ato.

Federata e Futbollit e Serbisë ka pasur shtrirje në Kosovë përmes të ashtuquajturës “Federatë e Futbollit e Kosovës dhe Metohisë” që në shtetin e Kosovës ka organizuar tri liga qarkore. Njëra prej tyre, e Anamoravës, nisi edicionin e ri para dhjetë ditësh.

Federata e Futbollit e Kosovës kërkoi që aktivitetet ilegale të Serbisë në Kosovë të ndalohen dhe Policia e Kosovës mori vendim për të ndaluar këto gara paralele.

Në fundjavë nuk kishte ndeshje ilegale, të paktën të Ligës së Anamoravës.

Dhe të hënën Federata e Futbollit e Serbisë i shkroi UEFA-s duke mos paraqitur realitetin.

Ministri Çeku ka theksuar se letra paraqet edhe shkelje të marrëveshjeve në procesin e dialogut me Serbinë.

“Serbia vazhdon me veprime dëmtuese ndaj Kosovës, në shkelje të plotë me mirëbesimin si bazë e marrëveshjes së fundit në procesin e dialogut. Letra e Federatës së Futbollit të Serbisë drejtuar presidentit të UEFA-së, përveç shtrembërimit të realitetit, përdor edhe gjuhë fyese. Për vite, federatat e sportit të Serbisë kanë organizuar aktivitet paralel dhe ilegal si pjesë e kampionateve të tyre zyrtare në zona të caktuara brenda territorit të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Hajrulla Çeku të martën.

Sipas tij, “Kosova nuk do të tolerojë aktivitete ilegale që shkelin rendin kushtetues dhe ligjor, si dhe kartën evropiane e botërore të sportit”.

Çeku sërish ka bërë thirrje që të gjitha klubet në territorin e Kosovës të bëhen pjesë e sistemit legjitim sportiv.

Federata e Futbollit e Kosovës nuk është deklaruar pas letrës së Federatës serbe drejtuar UEFA-s, që vlerësohet të jetë më shumë për konsum të brendshëm.

FFK-ja të dielën përmes KOHËS ka përshëndetur vendimin e Policisë së Kosovës për të ndalur garat ilegale të Serbisë në territorin e Kosovës.