Trajneri i Clujit, Dan Petrescu, është ndarë shumë i kënaqur me rezultatin ndaj Argesit të premten mbrëma. Cluji fitoi në çerekfinale 1:0 ndaj Argesit me një gol të Ermal Krasniqit në minutën e 89-të, i cili hyri në lojë në pjesën e dytë. Trajneri Petrescu tha se banka e rezervistëve në skuadrën e tij është e varfër, por do të dëshironte që ta kishte edhe një lojtar si Krasniqi.
“Ishte ndeshje e vështirë, e patë edhe ju pjesën e parë. Kemi luajtur me shumë lojtarë të rinj. Mendoj se ishin katër prej tyre nën moshën 21-vjeçare. Një ekip i ri, me lojtarë që nuk kanë shumë ndeshje dhe kjo u pa. Ishte ndeshje e balancuar. E rëndësishme ishte që nuk shkuam në vazhdime sepse do të ishte shumë vështirë. Jam suhmë i lumtur për këtë fitore. Jam i lumtur që fituam, jemi në gjysmëfinale dhe askush nuk u lëndua. Do të doja të kisha një tjetër lojtar me cilësi të Krasniqit, në mënyrë që Ermali të pushonte. Do të ishte një kualitet tjetër në skuadër. Krasniqi hyri sërish në lojë kundër Argesit dhe shënoi. E kam shumë të vështirë ta mbaj atë në bankën rezervë. Rogeri, Malele, janë larguar. Ata do të luanin sot. Nëse vazhdojmë kështu do të vuajmë. Sidoqoftë, Morali është i mirë, jemi në objektiva. Deri tani ka qenë vit i mirë”, ka thënë Petrescu pas ndeshjes.
Cluji ndeshjen gjysmëfinale e luan në udhëtim te Sepsi më 26 prill. Finalja është caktuar të luhet më 24 maj. Fitues në fuqi i Kupës së Rumanisë është Sepsi.