Emërtimi i papritur i Thomas Tuchelit si trajner i Bayern Munichut pritet ta bëjë edhe më të nxehtë derbin “der Klassiker”.
Tuchel, i cili e mori drejtimin e Bayernit në vend të të shkarkuarit Julian Nagelsmann të premten e kaluar, do të jetë përballë ish-skuadrës, Borussia Dortmundit, të shtunën, në ndeshjen e parë pas kthimit në Gjermani.
Dueli Bayern Munich – Borussia Dortmund zhvillohet nga ora 18:30 dhe i takon xhiros së 26-të të Bundesligës.
Dortmundi e kishte shkarkuar Tuchelin vetëm tri ditë pasi e fitoi Kupën e Gjermanisë në vitin 2017, pasi nuk ishte vlerësuar i suksesshëm dyvjeçari i tij në krye të skuadrës.
Ka pasur mosmarrëveshje mes tij dhe shefit ekzekutiv, Hans-Joachim Watzke, drejtorit sportiv Michael Zorc dhe shefit të skautëve, Sven Mislintat.
Bayerni ka rrezikuar me Tuchelin para fazës vendimtare të sezonit.
Bavarezët në ndeshjen e fundit në Bundesligë u mposhtën 2:1 nga Bayer Leverkuseni dhe disfata e rrëzoi në vendin e dytë skuadrën më të suksesshme gjermane.
Tani Bayerni ka 52 pikë në vendin e dytë. Ka një pikë më pak se Dortmundi, para ndeshjes derbi të shtunën në “Allianz Arena”.
Ky ballafaqim mund të jetë edhe vendimtar në garën për titullin e kampionit, kur kanë mbetur edhe tetë xhiro deri në fund.
Fitorja u duhet të dyja skuadrave.
Tucheli u largua nga Paris Saint-Germaini në dhjetor të vitit 2020 dhe për çështje thuajse të ngjashme u shkarkua edhe nga Chelsea në vitin e kaluar.
Tuchel pati ndikim te skuadra e Chelseat, pasi e fitoi Ligën e Kampionëve në vitin 2021, pas vetëm katër muajsh në krye të skuadrës.
Bayerni synon që me trajnerin e ri ta ketë të njëjtën formë.
Bayerni takohet me Manchester Cityn në çerekfinale të “Championsit”, dhjetë ditë pas “der Klassiker”.
Tucheli ka pasur pak kohë për të punuar me skuadrën e re për shkak të angazhimeve të lojtarëve në përfaqësuese.
Disa futbollistë të Bayernit e kanë vlerësuar shokues shkarkimin e Julian Nagelsmannit nga posti i trajnerit.
Joshua Kimmich dhe Leon Goretzka kanë pasur marrëdhënie të afërta me trajnerin. Goretzka e ka vlerësuar vendimin “befasues për secilin”.
Dortmundi në duelin e fundit kishte fituar përballë Koelnit, 6:1 dhe e mori lidershipin.
Mbrojtësi i Gjermanisë, Nico Schlotterbeck, është rikthyer nga angazhimi me Gjermaninë me problem në muskul, por mund të jetë i gatshëm të shtunën për Dortmundin.
Jamal Musiala mund të rikthehet po ashtu te Bayerni.
Dortmundi ka qenë në formë të shkëlqyer pas pushimit dimëror. Ishte nëntë pikë prapa Bayernit, por më pas i fitoi dhjetë ndeshje rresht në ligë, para se të barazonte me Schalken 2:2 në derbin e Ruhrit.
Megjithatë udhëtimet në “Allianz Arena” nuk kanë qenë aspak të suksesshme për “verdhezinjtë”, që i kanë humbur tetë vizitat e fundit në ligë.
Hera e fundit kur Dortmundi ishte lider në tabelë dhe udhëtonte në Munih ishte prilli i vitit 2019.
Bayerni kishte fituar 5:0, doli në vendin e parë dhe më pas fitoi një tjetër titull.