Pesë lojtarë në skuadrën e Përfaqësueses së Holandës janë larguar në shtëpi pasi janë prekur nga një infeksion viral, para ndeshjes hapëse të kualifikimeve për Evropian, kundër finalistes së Botërorit, Francës.
Sulmuesi i Liverpoolit, Cody Gakpo, mbrojtësi i Bayern Munichut, Matthijs de Ligt bashkë me Stven Botmanin, Joey Veermanin dhe Bart Verbruggenin, janë larguar nga kampi stërvitor, ka njoftuar Federata e Futbollit të Holandës të enjten.
Nuk është folur më shumë se për çfarë virusi bëhet fjalë. Gjatë kësaj jave, nga kampi holandez janë larguar edhe mesfushori i Barcelonës, Frenkie de Jong dhe Steven Bergwijn i Ajaxit, për shkak të lëndimeve. Pavarësisht mungesave, përzgjedhësi Ronald Koeman, ka thënë se ka besim te lojtarët e tjerë të skuadrës.
Në vend të pesë lojtarëve të sëmurë, Koeman ka ftuar Ryan Gravenberchun, Kjell Scherpenin dhe Stefan de Vrijin. Holanda luan kundër Francës në “Stade de France” të premten, në kuadër të Grupit B. Ndeshjen tjetër të këtij muaji e luan kundër Gjibraltarit në Roterdam.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.