Leverkuseni e ka fituar ndeshjen e vështirë të xhiros së 25-të të elitës së futbollit të Gjermanisë kundër Bayern Munichut. Leverkuseni të dielën në mbrëmje fitoi me rezultatin 2:1 ndaj bavarezëve, për ta vazhduar serinë e ndeshjeve pa humbje.
Leverkuseni nuk di për humbje në shtatë ndeshjet e fundit në të gjitha garat, ndërsa e shënoi fitoren e katërt rresht. Bayerni nga ana tjetër pësoi disfatën e parë pas katër fitoreve në garat ku ka marrë pjesë. Joshua Kimmich shënoi për epërsinë e mysafirëve në minutën e 22-të, por Exequiel Palacios më pas realizoi dy herë nga penalltia për fitoren e madhe.
Argjentinasi shënoi në minutën e 55-të për 1:1, dhe fitoren ia siguroi skuadrës së tij në minutën e 73-të. Leverkuseni ka 37 pikë në mesin e tabelës, ndërsa Bayern Munichu bie në vendin e dytë me 52 pikë, një më pak se Dortmundi lider.