Peja mposht Trepçën në festën e “Torcidës”

Palestra “Minatori” është stërmbushur me shikues të dielën mbrëma. Atmosfera ishte e zjarrtë, ndërsa tifo-grupi mitrovicas “Torcida” ka festuar 39-vjetorin e themelimit. Por festën paksa e ka prishur humbja e Trepçës nga Peja. Peja triumfoi me rezultatin 73:70 në derbin e xhiros së 26-të të Superligës së Kosovës në basketboll. Në fund ka pasur fishkezjarrë, por vetëm për ditëlindjen e Torcidës.
Ndeshja ishte dramatike dhe e hapur deri në fund. Vendasit kanë kërkuar barazimin në minutat e fundit, por pa sukses. Trepça ka fituar çerekun e parë me rezultat 23:18. Në çerekun e dytë u kthyen pejanët, duke triumfuar 20:13. Peja vazhdoi me lojë të mirë edhe në çerekun e tretë të cilin e fitoi 25:16, për epërsi të lartë. Trepça u afrua në çerekun e katërt, por jo mjaftueshëm.
