Përkushtim maksimal nga futbollistët në çdo ndeshje e në çdo stadium ka kërkuar përzgjedhësi brazilian i Shqipërisë, Sylvinho.
Sylvinho, të shtunën, në konferencë për media një ditë pasi shpalli listën e 23 lojtarëve për ndeshjen e parë kualifikuese të “Euro 2024”, vlerësoi lart kundërshtarët, por tha se skuadra “kuqezi” nuk do të dorëzohet për asnjë moment.
Pasi përshëndeti të pranishmit në gjuhën shqipe me “mirëmëngjesi”, përzgjedhësi Sylvinho u shpreh se është shumë i kënaqur me punën e bërë deri më tani.
Braziliani me karrierë të pasur si futbollist i Corinthiansit, Arsenalit, Celtas, Barcelonës e Manchester Cityt, zëvendësoi Edoardo Rejan në postin e përzgjedhësit.
Theksoi se ka detyrë të madhe para vetes.
Shqipëria ciklin kualifikues do ta nisë më 27 mars në udhëtim te Polonia. Kjo ndeshje luhet në stadiumin “PGE Narodowy”, në orën 20:45.
Shqipëria, Polonia, Republika e Çekisë, Ishujt Faroe dhe Moldavia kompletojnë Grupin E. Dy skuadrat e para në grup sigurojnë kalimin tutje në Evropianin që organizohet në Gjermani vitin tjetër.
“Polonia është e fortë, një kombëtare e rëndësishme. Ata janë mësuar të luajnë në Kupa Bote apo Evropianë, por ndeshja është e gjitha për t’u luajtur. Kemi shtatë ditë për t’u përgatitur. Do të shkojmë atje me shumë dëshirë për të bërë një ndeshje të bukur”, tha fillimisht Sylvinho, për të cilin çdo pikë e fituar është shumë e rëndësishme. “Duhet të luajmë me shpirt dhe zemër, sepse kështu luhet futbolli. Ne kemi lojtarë të fortë teknikisht, por është diçka tjetër më e rëndësishme, shpirti i garës dhe zemra që vendos në fushë. Është shumë e rëndësishme për rrugëtimin tonë, jo thjesht për një ndeshje. Sigurisht do të luftojmë për çdo pikë”.
Në listën e brazilianit ka pasur edhe emra të rinj për këtë ballafaqim. Në mesin e tyre janë edhe Jon Mersinaj, Andi Hadroj, Jasir Asani, Lindon Selahi e Anis Mehmeti, ndërsa pjesa tjetër është pothuajse e njëjta që luajti në edicionin e fundit të Ligës së Kombeve.
Ndërkohë, në listën e përzgjedhësit Fernando Santos janë disa lojtarë me emër. Në mesin e tyre edhe Robert Lewandowski. Sulmuesi i Barcelonës ka karrierë të madhe në nivel ekipor, por edhe me përfaqësuesen polake. 34-vjeçari është kapiten i Polonisë, ndërsa ka shënuar 78 gola në 138 ndeshje.
Karrierë të madhe si përzgjedhës ka edhe trajneri i Polonisë, portugezi Santos.
Ai e ka të fituar një Kampionat Evropian dhe një Ligë të Kombeve me Portugalinë.
Dhe sukseset e tij, i vlerëson edhe Sylvinho.
“Ai është trajner me shumë eksperiencë, ata janë të fortë, kanë futbollistë të rëndësishëm dhe janë mësuar të luajnë në finalet e Botërorit dhe Evropianit, por duhet të kuptojmë se si ndryshon loja e tyre tani. Ata kanë dy ndeshje, por futbolli luhet në fushë. Futbolli është kompleks, ka fazën me top dhe pa top. Duhet t’i studiojmë mirë dhe të shkojmë në Varshavë për të bërë një ndeshje të mirë”, ka thënë Sylvinho.
Shqipëria grumbullimin e parë për ndeshjen kualifikuese të Evropianit do ta ketë të dielën në Tiranë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.