Sport

Hendboll: Besa sfidohet seriozisht në Mitrovicë, por feston në fund

Besa Famgas vazhdon të mbetet pa humbje në elitën e hendbollit kosovar. Por, pas një kohe të gjatë është sfiduar seriozisht. Lojtarëve të ekipit pejan u është dashur të djersiteshin shumë për ta fituar derbin e xhiros së 21-të të Superligës A kundër Trepçës.

Të enjten mbrëma në “Minatori”, në praninë e qindra shikuesve, Besa ka fituar me rezultat 26:22 ndaj Trepçës.

“Xehetarët” të përkrahur nga “Torcida” ishin për kohë të gjatë në epërsi. Por kanë bërë gabime të shumta që i ka shfrytëzuar Besa për të siguruar fitoren në pesë minutat e fundit të ndeshjes. Dallimi është bërë edhe një herë nga Nikola Prce, trajneri i Besa Famgasit. Ai vazhdon të aktivizohet kur ka nevojë dhe ndaj Trepçës kontributi i tij ishte i domosdoshëm.

Deri në minutën e 57-të skuadrat ia dolën të shkëputeshin më së shumti në dy gola. Për kohë më të gjatë vendasit ishin para në rezultat, ndërsa pjesa e parë përfundoi 10:10. Kjo dëshmon që mbrojtjet e skuadrave ishin të fortë dhe efikasiteti jo i duhur.

Lojë e barabartë vazhdoi edhe në pjesën e dytë, para se Besa të bëjë shkëputjen e lehtë në fund.

Denis Shabanoviq ishte më efikasi te Besa me gjashtë gola. Prce i shënoi pesë, ndërsa katër gola i realizoi Egzon Gjuka. U dallua edhe portieri Mursel Memeti. Te Trepça, Deniz Terziqi shënoi tetë gola, ndërsa gjashtë i kishte Sali Maxhera.

Besa udhëheq në tabelë me 37 pikë. Ka 18 fitore e një barazim, ndaj Kastriotit në Ferizaj.

Ndërkohë Trepça është e dyta me 24 pikë.

Të enjten u luajt edhe ndeshja mes Prishtinës dhe Vushtrrisë. Mysafirët ishin vazhdimisht në epërsi dhe fituan në fund me rezultat 38:33. Të mërkurën Rahoveci fitoi ndaj Kastriotit në Ferizaj me rezultat 38:34.

Prishtina është e treta në tabelë me 21 pikë, sa i ka edhe Rahoveci në vendin e katërt. Vushtrria doli në vendin e pestë me 20 pikë, ndërsa Kastrioti është i gjashti me 19 pikë.