Sport

“Ultrasit” e PSG-së planifikojnë protestë ndaj Messit

Lionel Messi ende nuk ka nënshkruar kontratë të re me Paris Saint-Germainin, ndërsa tifozët “ultras” të kësaj skuadre do t’i vërshëllejnë fituesit të Kupës së Botës në shenjë proteste për këtë situatë.

Shtatë herë fituesi i “Topit të Artë” u transferua në “Parkun e Princave” në vitin 2021 si futbollist i lirë nga Barcelona.

PSG-ja u eliminua nga Liga e Kampionëve, ndërsa në ligë skuadra po shkon drejt një tjetër titulli.

Por kjo nuk i ka lënë të kënaqur tifozët e flaktë të skuadrës parisiene.

“Ne do ta vërshëllejmë Messin të dielën. Ai ka pagë shumë të lartë në krahasim me atë që ofron në fushën e lojës”, kanë thënë disa anëtarë liderë të tifozërisë së PSG-së, shkruan “Mundo Deportivo” të enjten.

35-vjeçari Messi ka shënuar 18 gola dhe ka 17 asistime në 31 ndeshje në të gjitha garat në këtë edicion, ndërsa kontrata i skadon në fund të kampionatit.