Vedat Muriqi mund të kthehet në Serie A e që do të vlerësohej befasi, kanë shkruar mediumet e huaja të enjten. Muriqi është duke shkëlqyer me Mallorcan në La Ligën spanjolle, por mund të kthehet në kampionatin ku nuk e pati shkëlqimin e njëjtë.
Muriqi ishte pjesë e Lazios për një vit e gjysmë, dhe në 49 paraqitje në të gjitha garat realizoi vetëm dy gola kundër Atalantas, një në ligë e një në Kupën e Italisë. Megjithatë, Muriqi mund të bëjë befasi e të paraqitet sërish në Serie A, tek Interi që drejtohet nga Simone Inzaghi.
“Futbol Total” ka raportuar se ai mund të transferohet te “nerazzurrët”. Joaquin Correa, Romelu Lukaku e Edin Xheko, mund të largohen nga skuadra, shkruan “calciomercato” të enjten.
Muriqi u ble në verën e kaluar nga Mallorca për afër 10 milionë euro, por çmimi i tij është rritur për rreth pesë milionë euro shkaku i paraqitjeve të mira këtë edicion. Ai këtë sezon ka 11 gola në të gjitha garat, ndërsa ka kontribuuar edhe me tri asistime në 24 ndeshje.