Sport

Baseli eliminon Slovan Bratislavan në ndeshjen dramatike

Baseli ka kaluar në çerekfinale të Ligës së Konferencës me shumë vështirësi. Në ndeshjen dramatike të zhvilluar në Sllovaki, Baseli e eliminoi nga 1/8 e finales së kësaj gare Slovan Bratislavan, pas ekzekutimit të penalltive, 4:1.

Ndeshja e parë në Zvicër kishte përfunduar 2:2, e me të njëjtin rezultat u mbyll edhe dueli kthyes pas 90 minutave dhe vazhdimeve. Malik Abubakari në minutën e 11-të dhe Juraj Kuçka në minutën e 17-të shënuan për rezultatin 2:0 në pjesën e parë.

Riccardo Calafiori në minutën e 53-të dhe Zeki Amdouni në minutën e tretë të kohës shtesë, realizuan golat për ekipin zviceran. Calafiori, Amdouni, Andy Diouf dhe Darian Males shënuan nga penalltia për Baselin, kurse Lucas Lovat, ishte i vetmi që shënoi për vendësit.

Dështuan Kuçka dhe Tigran Barseghyan. Andi Zeqiri kompletoi ndeshjen për Baselin, kurse Taulant Xhaka luajti deri në minutën e 82-të.