Sport

Ylli kthehet tek fitorja, mposht Ponte Prizrenin

 

Pas humbjes nga Peja në xhiron e shkuar, Golden Eagle Ylli është kthyer tek fitorja në Superligën e Kosovës në basketboll. Ylli, të dielën e mposhti skuadrën e Ponte Prizrenit në ndeshjen që i takoi xhiros së 25-të. Dueli i luajtur në palestrën “13 Qershori” në Suharekë, përfundoi me rezultatin 81:68 në të mirë të Yllit, që është kampion në fuqi.

Me këtë fitore, Ylli ka tubuar 43 pikë sa i ka edhe Peja, me të cilën ndanë dy pozitat e para në tabelë. Ndërkohë, Ponte Prizreni mbetet i parafundit me 31 pikë dhe vazhdon luftën për t’i ikur plejofit kur kanë mbetur edhe tri xhiro deri në fund të pjesës së rregullt të këtij sezoni. Ylli e nisi furishëm çerekun e parë, të cilin e mbylli me 12 pikë epërsi – 22:10, por Ponte Prizreni reagoi duke u rikthyer në lojë në periudhën e dytë. Këtë çerek, Ponte e fitoi me rezultatin 23:15 dhe skuadrat shkuan në pushim me vetëm katër pikë epërsi për Yllin (37:33).