Sport

Bayerni synon ta mposhtë Parisin edhe në Munih

FOTO: AP
 

Trajneri i Bayern Munichut, Julian Nagelsmann, ka dëshirë të madhe që ekipi i tij ta eliminojë Paris Saint-Germainin nga Liga e Kampionëve. Në anën tjetër, sulmuesi Kylian Mbappe synon të shtojë edhe më shumë gola në rekordin e tij te PSG-ja dhe ta ndihmojë ekipin në avancojë në çerekfinale. Si Nagelsmann, ashtu edhe Mbappe do të kenë shansin e tyre të mërkurën mbrëma kur Bayerni do të përpiqet ta mbrojë epërsinë 1:0 në ndeshjen e dytë të 1/8 së finales.

Bayerni e fitoi ndeshjen e parë në Paris me një gol të ish-lojtarit të PSG-së, Kingsley Coman, por qasja e skuadrës në ndeshjen e kthimit do të jetë krejtësisht sulmuese, ka paralajmëruar Nagelsmann. Sipas tij, Bayerni nuk do të përpiqet ta mbrojë rezultatin e duelit të parë, pasi synon të shënojë dy apo tre gola të tjerë para tifozëve gjermanë. Mbajtja e sulmuesve në presion funksionoi në fazën e grupeve kundër Interit dhe Barcelonës, pasi asnjëra prej tyre nuk arriti të shënonte kundër Bayernit. Por mund t'i lejojë PSG-së të ketë mundësitë për t’u kthyer në lojë.