Sport

Dortmundi fiton, lë prapa Leipzigun në luftën për titull

Borussia Dortmundi ka shënuar fitore të madhe ndaj kandidatit tjetër për titull kampioni në Gjermani, Leipzigut.

“Verdhezinjtë” të premten mbrëma fituan në “Signal Iduna Park” kundër Leipzigut me rezultatin 2:1, për fitoren e 10-të rresht në të gjitha garat.

Ishte ndeshje e xhiros së 23-të e Bundesligës gjermane.

Kapiteni Marco Reus shënoi nga penalltia në minutën e 21-të të ndeshjes. Për të ishte goli i 159-të me fanellën e Dortmundit, dhe barazohet me legjendën Michael Zorc, në vendin e dytë si golashënuesi më i mirë në histori të skuadrës.

Emre Can shënoi për 2:0 në minutën e 39-të.

Golin e vetëm për mysafirët e realizoi Emil Forsberg në minutën e 74-t.

Dortmundi del në vendin e parë përkohësisht me 49 pikë, tri më shumë se Bayern Munichu i vendit të dytë.

Leipzigu mbetet në pozitën e katërt me 42 pikë.