Sport

Disponimi fitues i Interit po dëmtohet nga grindjet e lojtarëve në fushë

Romelu Lukaku është rikthyer në mesin e golashënuesve, duke ndihmuar Interin të fitojë në Ligën e Kampionëve dhe të ngjitet në pozitën e dytë në Serie A. Por, ka ende tensione tek Interi. Më pak se 10 ditë pasi Lukaku dhe Nicolo Barella patën një debat të ashpër në fushë, pati një tjetër mosmarrëveshje të shëmtuar mes bashkëlojtarëve të Interit gjatë fitores 1:0 të së mërkurës ndaj Portos në Ligën e Kampionëve.

Portieri i Interit, Andre Onana, dhe sulmuesi Edin Xheko i bërtitën njëri-tjetrit në pjesën e parë, me Hakan Çalhanoglun që u përpoq të qetësonte gjërat duke i mbuluar gojën Onanas. Situata u shfaq pasi Onana filloi të protestonte me arbitrin dhe Xheko ndërhyri. Onana qeshi me situatën pas ndeshjes, e cila i dha Interit një epërsi me një gol ndaj Portos për ndeshjen e kthimit në 1/8 e finales.

“Janë thjesht gjëra të lidhura me tensionin e ndeshjes, por gjithçka ndihmon për të përmirësuar grupin dhe cilësinë e ekipit”, tha Onana. “Ne jemi të gjithë lojtarë me përvojë dhe secili prej nesh ka të drejtë të thotë atë që mendon, ai po aq sa unë. Por tani duhet ta lëmë pas. Unë jam portieri dhe duhet të bëj punën time. Në fund luajtëm shumë mirë dhe nëse acarohemi kështu fitojmë ndeshje”.

Ndërsa Onana luajti mirë dhe pati një numër intervenimesh të shkëlqyera - duke përfshirë një pritje fantastike të dyfishtë kur rezultati ishte ende 0:0 - Xheko pati një paraqitje nën nivel dhe reagoi me zemërim kur u zëvendësua në minutën e 58-të nga Lukaku.

“Unë gjithashtu zemërohesha kur më hiqnin gjatë ndeshjeve të tilla”, pranoi trajneri i Interit, Simone Inzaghi. “Por ishte e mjaftueshme për mua të shihja se si ai u ngrit në këmbë për ta festuar golin e Lukakut. Janë gjëra që ndodhin në fushë, për shkak të adrenalinës. Por nuk duhet të harrojmë atë që Xheko ka bërë për ne në këto 18 muaj. Ai ka bërë shumë”.

Inzaghi duhet të vendosë nëse do të luajë me Lukakun ose Xhekon në repartin e sulmit përkrah kapitenit Lautaro Martinez kur Interi të udhëtojë në Bologna të dielën në Serie A. Interi është në vendin e dytë në Serie A, por mund të jetë 18 pikë prapa Napolit kur ndeshja të fillojë në Bologna, sepse lideri i ligës viziton Empolin një ditë më parë. Roma, Milani, Lazio dhe Atalanta janë të gjitha brenda gjashtë pikëve ndaj Interit në një betejë të ngushtë për vendet kualifikuese të Ligës së Kampionëve. Lukaku ka shënuar në dy ndeshje rresht për Interin, por kjo e ka çuar numrin e tij në vetëm katër gola, sepse ai ka luftuar me formën e dobët dhe lëndimet që nga kthimi në Itali nga Chelsea para fillimit të këtij sezoni. Xheko ka shënuar 11 gola në të gjitha garat këtë sezon. Lukaku dhe Barella duket se kanë bërë paqe pasi u panë duke bërtitur dhe sharë njëri-tjetrin gjatë barazimit 0:0 në Sampdoria më 13 shkurt. Inzaghi i largoi të dy lojtarët gjatë asaj ndeshje dhe klubi thuhet se mendoi t'i gjobiste. Por Barella ishte një nga të parët që përqafoi Lukakun pasi siguroi harkimin për sulmuesin belg për të shënuar golin kundër Portos kur kishin mbetur edhe katër minuta deri në fund të ndeshjes.

“Gjithmonë kam thënë se ai është lojtari i parë me të cilin do të zgjidhja për të luftuar”, tha Lukaku për Barellan. “Jam i lumtur që ai dha asistimin dhe ne duhet të vazhdojmë në këtë mënyrë”.