Sport

Zeqiri pritet të debutojë për Maqedoninë e Veriut

Basketbollisti i Sigal Prishtinës, Lejson Zeqiri ka gjetur vend në 12-shen e përzgjedhësit të Maqedonisë së Veriut, Alek Jonchevski për ndeshjet e radhës në kuadër të parakualifikimeve për “Eurobasket 2025”.

Zeqiri është ftuar nga ish-trajneri i Trepçës, Jonchevski për duelet kundër Sllovakisë dhe Norvegjisë në kuadër të Grupit D.

Të dyja ndeshjet, Maqedonia e Veriut i luan në udhëtim.

Me Sllovakinë përballet të enjten, ndërsa të dielën luan kundër Norvegjisë. Për Zeqirin, kjo është hera e parë që është grumbulluar me Maqedoninë e Veriut, për të cilën pritet të debutojë.

Zeqiri është pjesë e Sigal Prishtinës, ndërsa posedon edhe pasaportën e Kosovës pasi në Superligë konsiderohet lojtar vendor. Krahas Zeqirit, te Maqedonia e Veriut në grumbullimin e gjerë ishte ftuar edhe basketbollisti tjetër i Prishtinës, Valmir Kakruki, por që nuk është përfshirë në 12-she.