2 perditesime
20:26

Rikthimi i Muriqit, gol e asistim në fitoren e Mallorcas

Pas shtatë ndeshjeve, Vedat Muriqi është rikthyer me gol te Mallorca. Madje, sulmuesi i Kosovës dhuroi edhe një asistim për ta kompletuar një paraqitje brilante.

Mallorca të shtunën mposhti në stadiumin e vet Villarrealin me rezultat 4:2.

Muriqi asistoi në golin e parë që u shënua nga Tino Kadewere në minutën e 20-të. Ndërkohë, realizoi golin e katërt për skuadrën e tij në të 63-n.

Ishte goli i nëntë këtë sezon në La Liga për Muriqin, krahas edhe dy asistimeve.

Fitorja ngrit Mallorcan në vendin e tetë me 31 pikë, aq sa ka edhe Villarreali një pozitë më poshtë.

19:58

Muriqi i pandalshëm, shënon ndaj Villarrealit

Pas asistimit, Vedat Muriqi është futur edhe në listën e realizatorëve në ndeshjen që Mallorca po e luan ndaj Villarrealit.

Muriqi shënoi në minutën e 63-të me asistimin e Antionio Raillot.

Ishte goli i nëntë këtë sezon të La Ligas dhe i pari pas shtatë ndeshjesh. 

Teksa po luhet minuta e 70-të, Mallorca po udhëheq 4:2. 

 

18:56

Muriqi asiston, Mallorca në epërsi

Vedat Muriqi ka asistuar në golin e epërsisë të Mallorcas ndaj Villarrealit.

Sulmuesi i Kosovës shfrytëzoi mjaft mirë gabimin e portierit mysafir Pepe Reina, dhe pasoi te Tino Kadewere që shënoi në minutën e 20-të.

Menjëherë pas dy minutave, Manu Trigueros i Villarrealit u ndëshkua me të kuq pasi shkaktoi faull të rrezikshëm.

Për Muriqin, ishte asisti i dytë këtë sezon në La Liga. Ka tetë gola të shënuar.

Kur po luhet minuta e 25-të, Mallorca po udhëheq 1:0.