Sport

Trajneri i Lazios vlerëson Krasniqin

Sulmuesi i krahut, Ermal Krasniqi, po shihet si lojtari kryesor i Clujit dhe rreziku më i madh për Lazion në ndeshjen e parë të plejofit të Ligës së Konferencës. Dueli mes Lazios dhe Clujit zhvillohet të enjten prej orës 21:00 në “Stadio Olimpico” të Romës. Në prag të kësaj ndeshjeje, trajneri i Lazios, Maurizio Sarri, ka vlerësuar lart Krasniqin, i cili pritet t’i prijë sulmit të Clujit ndaj ekipit italian.

Në konferencën për shtyp të mërkurën, Sarri ka thënë se Krasniqi është një lojtar shumë i fortë në krah dhe i gatshëm për ta dëshmuar veten në ndeshje ndaj skuadrave të mëdha. Në fakt, Krasniqi prejse iu bashkua Clujit është shndërruar në lojtar kyç të trajnerit Dan Petrescu dhe titullar të padiskutueshëm. Në katër ndeshje të luajtura deri më tani në kampionatin e Rumanisë, Krasniqi ka shënuar një gol dhe ka bërë një asistim. Ai muajin e shkuar u transferua te Cluji nga Ballkani i Suharekës dhe me ekipin e ri ka kontratë deri në verën e vitit 2026.

“Në garat evropiane nuk ka ndeshje të lehta, pavarësisht kundërshtarit. Cluji është një ekip që duhet ta respektojmë dhe të tregohemi të kujdesshëm ndaj tij. I kam shikuar disa prej ndeshjeve të fundit të Clujit dhe mund të them se bëhet fjalë për një ekip të kompletuar në çdo aspekt, sidomos i fortë në lojën prej krahëve”, është shprehur Sarri përpara se të flasë për Krasniqin. “Cluji ka në radhët e veta dy apo tre lojtarë të nivelit të lartë, përfshirë edhe Krasniqin. Ai është një lojtar shumë i fortë që luan në krahun e majtë dhe i cili është gati për ndeshje dhe kundërshtar të mëdhenj”.

Paraqitja e Krasniqit ndaj Lazios do të jetë e para për Clujin në garat evropiane. Në fakt, futbollisti i Kosovës këtë sezon ka luajtur në Ligën e Konferencës, por me fanellën e Ballkanit dhe atë në fazën e grupeve. Në pesë ndeshje të luajtura në fazën e grupeve, ku Ballkani nuk arriti ta sigurojë avancimin në debutimin e tij në Evropë, Krasniqi ka shënuar dy gola dhe ka bërë një asistim. Përballjet e Ballkanit me Clujin në këtë garë kanë bërë që Krasniqi të bjerë në sy të ekipit rumun, i cili shpenzoi mbi 300 mijë euro për transferimin e tij.

“Ndeshja ndaj Clujit është e rëndësishme dhe do t’i qasemi me seriozitetin më të madh. Në gjithmonë flasim për ndeshje të mëdha dhe kjo me Clujin konsiderohet e tillë. Sigurisht, që duam një rezultat pozitiv para ndeshjes së kthimit, por nuk do të jetë lehtë”, është shprehur Sarri.

Ndeshja e kthimit mes këtyre dy skuadrave do të zhvillohet javën e ardhshme (23 shkurt) në Rumani. Krahas synimit për të shkuar sa më lart në këtë garë të nivelit të tretë të UEFA-s, Cluji po lufton edhe për ta mbrojtur titullin e kampionit në kampionatin e Rumanisë. Aktualisht, zë vendin e dytë në tabelë me 50 pikë, dy më pak se Farul Constanta që prin pas 25 xhirove të zhvilluara.