Sport

Kërkohet përjashtimi i Bjellorusisë nga kualifikimet për “Euro 2024”

Kur kanë mbetur pak më shumë se një muaj deri te fillimi i kualifikimeve për “Euro 2024”, gjasat janë të mëdha që Përfaqësuesja e Bjellorusisë të mos jetë pjesë e tyre. Kualifikimet për “Euro 2024” nisin në fund të muajit të ardhshëm, saktësisht me datën 24 mars. “The Guardian” ka shkruar të mërkurën se Bjellorusia mund të përjashtohet nga UEFA, pasi presioni po rritet ndaj Shtëpisë Evropiane të futbollit për ta bërë një veprim të tillë. Së fundmi, anëtari i Këshillit Evropian, George Foulkes i ka dërguar një letër kreut të UEFA-s, Aleksandar Çeferinit, për ta ndërmarrë një veprim të tillë ndaj Bjellorusisë. Sipas tij, Bjellorusia duhet të përjashtohet nga kualifikimet sikurse Rusia, pasi është aleate e saj në luftën ndaj Ukrainës. Kërkesat e Foulkesit vetëm se ka rritur numrin e atyre që po kërkojnë me ngulm përjashtimin e menjëhershëm nga kualifikimet e “Euro 2024” të vendit nga Evropa Lindore.

“Bjellorusia shërbeu si bazë për pushtimin fillestar të Rusisë në Ukrainën veriore shkurtin e kaluar. Që atëherë, ajo i ka ofruar Rusisë pajisje ushtarake, ka lejuar rekrutët e mobilizuar rusë të stërviten në territorin e saj dhe ka shërbyer si pikë nisjeje për sulmet me raketa në Ukrainë. Është e vështirë të shihet se si këto veprime nuk meritojnë një ndalim gjithëpërfshirës të pjesëmarrjes së Bjellorusisë në kualifikimet e Evropianit të vitit të ardhshëm. Unë besoj se komuniteti ndërkombëtar duhet të qëndrojë i bashkuar për këto çështje dhe prandaj shpresoj që UEFA do të rishqyrtojë pozicionin e tyre”, ka shkruar Foulkes në letrën e tij drejtuar Çeferinit.

UEFA ka ndërmarrë masa ndaj Përfaqësueses së Rusisë që e ka përjashtuar tërësisht nga garat sikurse edhe FIFA. Por, në të njëjtën mënyrë nuk ka vepruar ndaj Bjellorusisë. Deri më tani, UEFA u ka rezistuar thirrjeve dhe kërkesave për Bjellorusinë, e cila është përfshirë në kualifikimet për Evropianin e vitit të ardhshëm që do të mbahet në Gjermani. Dënimi i vetëm për Bjellorusinë është që ndeshjet si vendase do të duhet t’i luajë në një vend neutral dhe pa praninë e shikuesve. Bjellorusia në kualifikimet për “Euro 2024” bën pjesë në Grupin I, së bashku me Zvicrën, Kosovën, Rumaninë, Izraelin dhe Andorrën. Duelin e parë në grup Bjellorusia e luan më 25 mars si vendase ndaj Zvicrës dhe tashmë ka caktuar që kjo ndeshje të zhvillohet në stadiumin “Karagjorgje” në Novi Sad të Serbisë. Ndërkohë, ende nuk e ka dhënë një lokacion për ndeshjen me Kosovën, që do ta zhvillojë më 19 qershor. Në rast se vjen deri te përjashtimi i Bjellorusisë nga këto kualifikime, atëherë Kosova do ta kishte mundësinë edhe më të madhe për ta siguruar vendin e dytë në grup, i cili direkt siguron pjesëmarrjen në Evropian. UEFA ende nuk ka dhënë një përgjigje në lidhje me kërkesën e fundit që ka marrë për përjashtimin e Bjellorusisë, por në një njoftim të lëshuar në tetor të vitit të shkuar ka lënë të hapur mundësinë për të vepruar me sanksione më të ashpra.

“Komiteti ekzekutiv i UEFA-s vendosi në mars të parandalojë që ndeshjet të luhen në territorin e Bjellorusisë deri në një njoftim të dytë. Që atëherë, UEFA ka monitoruar vazhdimisht situatën dhe mund të merren vendime të mëtejshme sipas nevojës”, thuhej në deklaratën e UEFA-s.