Chelsea ka një nga grupet më të talentuara dhe më të shtrenjta të lojtarëve të mbledhur ndonjëherë në futbollin botëror. Tani mund të jetë koha ideale për t'i mposhtur ata. Borussia Dortmundi synon një kalim të Chelseat me shpenzime të mëdha, në ndeshjen e parë të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve, të mërkurën prej orës 21:00.
Ecuria e fundit e Chelseat me tri barazime radhazi në Premier League – përfshirë atë 1:1 kundër West Ham Unitedit të shtunën – duhet të jetë një shenjë inkurajuese për ekipin gjerman. Kundër West Hamit, Chelsea dukej si një grup individësh jashtëzakonisht të talentuar që sapo janë prezantuar. Në një formacion fillestar me pesë angazhime të janarit, Joao Felix, Enzo Fernandez dhe Mykhailo Mudryk shkëlqenin në pamje të parë, por nuk arritën ta bëjnë dallimin ndaj West Hamit, i cili mori pikë. Megjithatë, duke pasur parasysh kohën, komunikimi i Chelseat në fushë do të përmirësohet. Për Chelsean nuk do të jetë aspak e lehtë të luajë para “Murit të Verdhë” të Dortmundit, me zhurmë shurdhuese të tifozëve. Skuadra gjermane do të dëshirojë t’i shfrytëzojë shanset e saj për fitore. Dortmundi futet në këtë ndeshje pas një serie prej gjashtë fitoreve në vitin 2023, për dallim prej Chelseat që ka vetëm një triumf në tetë duele të luajtura.
“Duam ta testojmë veten përballë një ekipi shumë të fortë dhe që ka bërë shpenzime të mëdha në afatin kalimtar të janarit. Po ashtu nuk duhet të harrojmë se Chelsea para dy vjetësh e ka fituar edhe Championsin. Kështu që nuk do të jetë aspak lehtë, por ne nuk frikësohemi dhe jemi gati të përballemi në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka thënë të martën trajneri i Dortmundit, Edin Terziq.
“E kemi parasysh se të paktën na duhet një fitore për t’u kualifikuar në çerekfinale dhe atë fitore duam ta marrim para tifozëve tanë. Do të kemi përkrahje të fuqishme dhe duhet ta shfrytëzojmë. Jemi gati për gjithçka pasi e kemi analizuar mirë Chelsean edhe pse nuk ishte aspak e lehtë ta bëjmë një gjë të tillë”.
Te Dortmundi në këtë përballje do të mbështeten edhe te sulmuesi Sebastien Haller, i cili sezonin e shkuar në Champions shënoi 11 gola për Ajaxin. Ai do të debutojë këtë sezon në Ligën e Kampionëve, pasi në vjeshtë mungoi shkaku i trajtimit të kancerit në testikuj. Haller ende nuk ka luajtur 90 minuta për Dortmundin, gjë që pritet ta bëjë pikërisht kundër Chelseat.
Megjithatë, Dortmundi do ta ketë një mungesë të rëndësishme në përbërje. Të hënën klubi gjerman e konfirmoi lëndimin e sulmuesit Yopusouffa Moukoko dhe mungesën e tij për gjashtë javë.
“Shpenzimi i madh i Chelseat në janar mund të jetë epërsi për ekipin tonë. Lojtarët e Chelseat ende nuk janë përshtatur dhe kanë një sfidë para vetes për ta kompletuar ekipin në fushë. Pra, presioni është te Chelsea, kurse ne jemi të qetë dhe kemi synime të mëdha. Duam ta fitojmë ndeshjen e parë dhe pastaj të shkojmë të qetë në Londër”, ka paralajmëruar Julian Ryerson.
Përkundër transferimeve të shumta, rregullat e UEFA-s nuk kanë lejuar Chelsean të përfshijë më shumë se tre lojtarë në listën e re të Championsit. Kështu që londinezët kanë preferuar që në këtë garë t’i kenë në dispozicion Mudrykun, Felixin dhe Fernandezin. Trajneri i Chelseat, Graham Potter, ka paralajmëruar ekipin e tij para duelit me Dortmundin. Ai ka kërkuar nga ekipi që të tregohet maksimalisht i kujdesshëm, pasi ka thënë se Dortmundi është një ekip cilësor dhe tejet i paparashikueshëm.
“Në fazën e nokautit gjithçka mund të ndodhë dhe për këtë arsye duhet të tregohemi të kujdesshëm. Janë dy ndeshje dhe ne nuk guxojmë të mendojmë për çerekfinale para dueleve më Dortmundin. Ne kemi aftësinë për ta mposhtur Dortmundin, por e kemi parasysh se është një ekip shumë i fortë dhe i aftë për të befasuar në çdo moment. Po ashtu luan në shtëpi dhe ka përkrahje të madhe”, është shprehur Potter. “Ne duhet të dalim në fushë me përulësi dhe respekt, në mënyrë që të përpiqemi të marrim një rezultat pozitiv. Nuk do të jetë lehtë për shkak se kemi një kundërshtar me cilësi të madhe. Por, në të njëjtën kohë, ekipi ynë ka disa lojtarë të mirë dhe të rinj, të cilët mendoj se është koha ta dëshmojnë veten”.
Të mërkurën zhvillohet edhe një ndeshje tjetër e kësaj faze. Në Belgjikë, skuadra e Brugget e pret Benfican e Portugalisë.
E mërkurë (21:00)
Borussia D. – Chelsea
C. Brugge – Benfica