Sport

India megjithatë, po lëshon pe, Donjeta Sadiku pritet të paraqitet në Botëror

Në Federatën e Boksit të Kosovës janë optimistë që boksieres Donjeta Sadiku do t’i mundësohet paraqitja në Kampionatin Botëror që mbahet në New Delhi të Indisë prej 15 deri më 26 mars.

India dy herë nuk ka lëshuar vizë për Donjeta Sadikun. Për një kohë është dukur se nuk do ta pajis me vizë boksieren kosovare as për Botërorin që mbahet muajin tjetër. Por në dy ditët e fundit ka pasur zhvillime që e bëjnë optimist sekretarin e përgjithshëm të FBOXK, Latif Demolli.

“Po besojmë që do të lejohet pjesëmarrja e Donjetës në Botëror. Ajo natyrisht është pretendente për medalje”, ka thënë Demolli për KOHËN.

Asociacioni Ndërkombëtar i Boksit (IBA) ka deleguar çështjen te Federata e Boksit e Indisë. Federata indiane fillimisht e vlerësoi çështjen sfiduese, ndërsa më pas kërkoi kopjet e pasaportës së Donjetës dhe anëtarëve të tjerë të delegacionit. Dhe kjo ishte shenjë se po punohej për të siguruar paraqitjen e Kosovës në Botërorin e boksiereve.

Së fundi, Federata e Boksit të Indisë ka njoftuar FBOXK-në me letrën që ia ka dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Indisë. Po ashtu ka paralajmëruar se kjo ministri do të lëshojë “leje politike” për pjesëmarrjen e delegacionit të Kosovës.

India nuk e njeh shtetin e Kosovës.

“Ju kërkoj të konsideroni me dashamirësi nëse ekipit të boksit nga Kosova mund t’i jepet viza për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të boksit në New Delhi”, shkruan në letrën e federatës indiane për Ministrinë e Jashtme të këtij vendi.

Në letër shkruan se Federata Ndërkombëtare e Boksit (IBA) nuk përzihet në çështjet politike të Indisë por se “si anëtare me të drejta të plota në IBA dhe me njohje të plotë nga IOC-ja, Kosova ka të drejtë të garojë me flamurin e saj si çdo vend tjetër”.

Donjeta Sadiku vjet fitoi medalje të bronztë botërore e evropiane. Dhe tani, me shumë mundësi, do të jetë në pozitë të fitojë medalje botërore në vendin që e ka diskriminuar dy herë.

Vitin e kaluar India ka lëshuar viza për shahistët kosovarë që morën pjesë në Olimpiadën e këtij sporti.