Sport

Guardiola premton besnikëri ndaj Cityt

Pep Guardiola

Pep Guardiola është “plotësisht i bindur” se Manchester City është i pafajshëm, ndërsa beson se klubi “tashmë është dënuar”, pasi u akuzua nga Premier League për shkelje të rregullave financiare.

Premier League akuzoi Cityn për më shumë se 100 shkelje financiare, të hënën, dhe ia ka referuar gjetjet një komisioni të pavarur. Shkeljet e supozuara të Cityt kanë të bëjnë me një periudhë nëntëvjeçare, nga viti 2009 e tutje. Por në klub thonë se janë “të befasuar” dhe “mirëpresin një rishikim të kësaj çështjeje”. Duke folur për mediat për herë të parë që nga shpallja e akuzave, Guardiola kritikoi disa palë të jashtme për gjykim të shpejtë.

“Mendimi im i parë është se ne jemi dënuar tashmë”, tha trajneri i Cityt të premten. “Jemi me fat që jetojmë në një vend ku të gjithë janë të pafajshëm derisa të dëshmohet e kundërta. Duket sikur tashmë jemi dënuar. Çfarë do të ndodhë, nuk e di. Ne kemi avokatë të mirë dhe e di që do të mbrojmë pozicionin tonë”.

City më parë kishte një ndalesë nga pjesëmarrja në garat evropiane për shkeljen e rregulloreve të UEFA-s për lojën e ndershme financiare. Vendimi u përmbys pas një apeli në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në vitin 2020.

Guardiola shpjegoi pse e kishte mbështetur Cityn në atë kohë dhe pse tani ka besim të plotë se klubi do ta dëshmojë se është i pafajshëm.

“Kjo ka ndodhur edhe me UEFA-n është e njëjta gjë. Të njëjtat nene, të njëjtat akuza. Ne do të mbrohemi si në situatën e UEFA-s. Gjykata do të diktojë se çfarë do të ndodhë. Jam plotësisht i bindur se do të jemi të pafajshëm. Që kur klubin e morën pronarët nga Abu Dabi ka qenë kështu”, insistoi trajneri spanjoll.

Guardiola akuzoi rivalët e Cityt në Premier League për komplot kundër ekipit të tij dhe sugjeroi se klubet e tjera kanë kërkuar që City të ndëshkohet. I pyetur nëse mendonte se klubet e tjera e kishin drejtuar çështjen, Guardiola tha: “Sigurisht - është Premier League. Nuk e di pse. Duhet të pyesni drejtorët ekzekutivë, Daniel Levyn, këta lloj njerëzish”.

Guardiola iu referua sjelljes së disa klubeve të tjera gjatë procesit që qoi në pezullimin dyvjeçar të Cityt nga UEFA.

“Nëntë skuadra – Burnley, Wolves, Leicester, Newcastle, Tottenham, Arsenal, Manchester United, Liverpool, Chelsea – shkruan një letër duke kërkuar nga Liga e Kampionëve pozicionin e Cityt”, shtoi Guardiola. “Nuk është një histori e paprecedentë, është hera e dytë, këtë e kemi jetuar më parë, dy-tre vjet më parë. Ju na akuzoni dhe ne duhet të jemi jashtë. Por mes atyre nëntë skuadrave të mëparshme dhe 19 skuadrave sa janë tani, midis fjalës së tyre dhe fjalëve të njerëzve të mi, më vjen keq, por unë mbështetem në fjalët e njerëzve të mi”.

City mund të përballet me dënim të rëndë, duke përfshirë zbritjen e pikëve dhe përjashtimin nga Premier League, nëse shpallet fajtor.

Guardiola nuk tha saktësisht pse mendonte se klubet e tjera ishin që City të sanksionohej, por sugjeroi se ato duhet të kenë kujdes se çfarë dëshirojnë. 52-vjeçari është i bindur se City do të shfajësohet, por paralajmëroi se klubet e tjera mund të dështojnë në të ardhmen.

“E kam të vështirë të përgjigjem, nuk e di, por bëjnë një precedent tani, me atë që na kanë bërë. Kini kujdes në të ardhmen, sepse shumë klube mund të bëjnë sugjerime dhe shumë klube mund të akuzohen, siç akuzohemi ne, pa qenë të fajshëm”, tha Guardiola. “Kur ata shtyjnë të na heqin qafe, është e qartë se ata besojnë se ne nuk jemi sjellë siç duhet. Ne mund ta pranojmë këtë, por le të mbrohemi”.

Guardiola ka thënë më parë se do të largohej nga City nëse akuzat se kishin thyer rregullat do të vërtetoheshin. Megjithatë, kur iu bë përsëri kjo pyetje në dritën e akuzave të reja, spanjolli këmbënguli se nuk ka ndërmend të lërë punën e tij.

“Unë nuk lëviz nga kjo karrige, ju siguroj. Unë dua të qëndroj më shumë se kurrë”, tha Guardiola, i cili muaj më parë rinovoi kontratën deri në vitin 2025.

Guardiola pretendoi se lojtarët e tij nuk janë prekur dhe nuk do të preken nga çështja. Ata po përgatiten të përballen me Aston Villa në stadiumin “Etihad”, të dielën.

“Ne jemi stërvitur normalisht për ta mundur Aston Villan. Ne do të përpiqemi të luajmë mirë kundër një ekipi me një trajner të mirë dhe me shumë përvojë”, u shpreh trajneri spanjoll. “Lojtarët do të jenë të fokusuar në lojën tonë dhe jo në çështjet e tjera”.