Distria Krasniqi sot nuk është rrezikuar fare nga xhudistja franceze, Amandine Buchard.
Por ndryshe ishte në të kaluarën. Buchard 27-vjeçare, është prej më të mirave në kategorinë deri 52 kilogramë. Në Lojërat Olimpike të Tokios kishte fituar medaljen e argjendtë. Në Evropianin e vitit 2021 fitoi medaljen e artë, ndërsa i ka edhe dy medalje të argjendta evropiane. Po ashtu ka tri medalje të bronzta evropiane.
Për më tepër, Buchard kishte mposhtur Distrinë në dy përballjet e kaluara. E kishte mposhtur në çerekfinale të Evropianit të vitit të kaluar dhe në finale të Grand Slamit të Parisit, po ashtu vitin e kaluar. Distria iu revanshua pikërisht në Grand Slam të Parisit, por në gjysmëfinale.
Tani Distria në finale përballet me hungarezen Reka Pupp. Ndaj saj ka pesë fitore e një humbje.
Distria tashmë është prej më të mirave në kategorinë deri 52 kg, në të cilën u kthye pas Lojërave të Tokios. Japonezja Uta Abe dhe britanikja Chelsie Giles janë dy top-xhudistet tjera në këtë kategori. Ato nuk garuan në Paris.