Sport

Ramadani vlerëson besimin, synon suksese me Përfaqësuesen e futsallit

Agon Ramadani si lojtar i futbollit në sallë fitoi çdo trofe të mundshëm. Vlerësohet si njëri prej më të mirëve në futsall e futboll të vogël në Kosovë.

Getart Hyseni është një tjetër emër i njohur i futsallit të Kosovës. Të dy kanë përvojë të madhe në futbollin e sallës.

Dhe përvojën që kanë si lojtarë, Ramadani e Hyseni synojnë që ta bartin te reprezentuesit aktualë të Kosovës.

Federata e Futbollit e Kosovës të premten ia besoi Ramadanit postin e përzgjedhësit të Kosovës në futsall, ndërsa Hyseni do të jetë ndihmës i tij.

Ramadani e zëvendëson Beni Simitçiun, ndihmës i të cilit ishte.

“Falë kontributit të dhënë si ndihmëstrajner në Kombëtaren A, i pari i FFK-së, Agim Ademi, e emëroi Agon Ramadanin përzgjedhës të ri. Ndërkaq, Getart Hysenin e angazhoi si ndihmëstrajner, duke e bërë pjesë të ekipit kombëtar në futsall”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Tutje në njoftim shkruan se FFK-ja kërkon nga kjo dyshe që të punohet me përkushtimin më të madh që Kosova të arrijë sa më shumë suksese.

Këtë synim e ka edhe Agon Ramadani.

Ramadani e falënderoi kryetarin e FFK-së, Agim Ademi, për besimin që ia ka dhënë. Ai për KOHËN të premten ka thënë se ndihet i vlerësuar nga FFK-ja. Zotohet se bashkë me stafin dhe lojtarët do ta japin maksimumin që të paraqiten sa më mirë në sfidat e radhës.

Ramadani e Hyseni e njohin mirë njëri-tjetrin nga koha si lojtarë. Kanë ndarë fushën si bashkëlojtar e si kundërshtarë. Për Ramadanin, bashkëpunimi do të jetë frytdhënës.

“Kemi kaluar kohë të gjatë me Getartin në periudha të ndryshme të futsallit. Mendoj se përvoja e tij e madhe në futsall do të më ndihmojë edhe mua jashtëzakonisht shumë. Besoj në stafin tim, Getartin dhe Arbnor Krasniqin, trajnerin e portierëve. Së bashku me ta dhe me lojtarët, me përkushtim e punë të palodhshme, shpresoj të kemi sa më shumë rezultate pozitive”, është shprehur Ramadani.

Ramadani thotë se në Kosovë ka lojtarë të talentuar, por duhet punë e madhe. Puna dhe serioziteti thotë se sjellin edhe rezultatet. Në skenën ndërkombëtare, Ramadani 32-vjeçar thotë nuk do të ndihen inferiorë ndaj askujt.

“Do të synojmë që të afrojmë në ekip lojtarët e rinj me kualitet. Të gjithë më të mirët do ta kenë mundësinë të jenë pranë Kombëtares”, shprehet Ramadani, i cili është edhe ndihmëstrajner i Armend Dallkut te Dukagjini i Klinës.

Ramadani në Kosovë ka fituar gjitha trofetë e mundshme si lojtar i futsallit.

Ishte pjesë e skuadrës së Feniksit të Drenasit, që u rendit në vendin e 13-të nga 16 skuadrat pjesëmarrëse në “Elite Round” të Ligës së Kampionëve. Si lojtar përfaqësoi edhe Shqipërinë.

Më pas nisi punën si trajner. Ishte pjesë e Prishtina 01 dhe e udhëhoqi skuadrën drejt triumfit në Kupën e Kosovës në vitin 2020.

Ramadani e Hyseni do të debutojnë më 3 mars. Kosova do të jetë nikoqire e Holandës në ndeshjen e fundit kualifikuese të Kupës së Botës 2023.

Pas tri ndeshjeve, Kosova ka tri disfata dhe zë pozitën e fundit në tabelë.

Ukraina është e para me nëntë pikë, ndërsa Holanda e dyta ka tri pikë.

Fituesit e 12 grupeve avancojnë tutje në garë, bashkë me katër skuadrat më të mira të vendit të dytë. Matematikisht, gjasat për të kaluar në “Elite Round” ekzistojnë, por ka pak shpresa për t’u arritur një gjë e tillë.