Sport

Distria e Laura kërkojnë medaljet në Paris

Xhudistët e Kosovës i kanë mësuar kundërshtarët për Grand Slamin e Parisit, që mbahet të shtunën e të dielën. Kjo vlerësohet gara më prestigjioze e xhudos, ndërsa luftërat finale zhvillohen para 15 mijë shikuesve.

Xhudistët e Kosovës prej vitit 2013 kanë fituar medalje në Paris, sa herë që kanë marrë pjesë në këtë garë.

Të shtunën medalje synojnë Distria Krasniqi e Laura Fazliu, ndërsa rastin e kërkon edhe Flaka Loxha.

Distria është bartësja e parë në kategorinë deri 52 kg, ndërsa në xhiron e parë është e lirë. Në xhiron e dytë e pret fituesen e duelit mes senegalezes Lea Buet dhe spanjolles Marina Castello.

Flaka Loxha në duelin e parë përballë e ka amerikanen Mariah Holguin. Synon fitore.

Pos Flakës, edhe Laura Fazliu nuk është bartëse. Ajo në xhiron e dytë të kategorisë deri 63 kilogramë përballet me Samalay Yergaliyeva të Kazakistanit.

Të dielën garon Loriana Kuka.

Loriana në kategorinë deri 78 kilogramë në xhiron e parë përballet me lituanen Migle Dudenaite. Loriana është favorite, kurse në grup e ka bartësen e parë Guusje Steenhuis.

Në Paris garojnë 520 xhudistë nga 82 shtete të ndryshme.