Fabrika e veturave, Ford, do të kthehet në Formula 1 si furnizuese e motorëve për skuderinë e Red Bullit, në një partneritet që u zyrtarizua të premten dhe që fillon me mbështetje teknike të menjëhershme dhe me motorë në vitin 2026.
Red Bulli dhe Fordi do të jenë partnerë në zhvillimin e një njësie hibride të energjisë që do të furnizojë motorët si për skuderinë Red Bull, ashtu edhe për AlphaTauri, kur rregullat e reja të F1 të fillojnë në vitin 2026.
Kompania amerikane e automobilave ka dominuar në F1 në fund të viteve 1960 dhe 1970 si prodhuese motorësh me skuderinë Cosworth. Fordi është prodhuesi i tretë më i suksesshëm i motorëve në historinë e kësaj gare me 10 kampionate për konstruktorë dhe 13 kampionate te ngasësit. Ford, i cili zotëronte dhe drejtonte skuderinë Jaguar F1, u largua nga kjo seri e garave në vitin 2004 kur Jaguari u shit dhe u bë Red Bull Racing.
Fordi megjithatë u josh përsëri në Forumula 1, ku garoi për 38 vjet. Fordi është furnizuesi i parë amerikan i motorëve që kthehet në F1, pasi është vendosur të mbahen pesë gara këtë vit në Amerikën e Veriut, me tri nga ato gara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Shifrat globale janë të mëdha për Formula 1”, tha Mark Rushbrook, drejtor global i “Ford Performance”. “Sidomos në SHBA, ku rritja e tifozëve është jashtëzakonisht e madhe. Kjo është e rëndësishme për ne. Ne nuk duam vetëm të garojmë dhe të mësojmë teknologjinë, por duhet të jemi në gjendje të lidhemi me fansat. Me Red Bull dhe AlphaTauri, do të jemi në gjendje të bëjmë këtë”.
Ndryshimet e rregullave të F1 prej vitit 2026 kërkojnë që motorët aktualë V6 të funksionojnë me karburant të qëndrueshëm dhe të pajisen me komponentë hibridë. Red Bulli fillimisht kishte një marrëveshje me Porschen që u anulua sezonin e kaluar dhe tani do ta ketë partner Fordin.
Red Bulli do të vazhdojë të garojë me motorin e Hondas deri në vitin 2026, por Fordi do të fillojë me asistencën e menjëhershme teknike dhe më pas do t’i furnizojë motorët e tij kur të aplikohen rregulloret e reja.