Trajneri i ri i Evertonit, Sean Dyche, insiston se është rehat të futet në betejën për mbijetesë në Premier League pa asnjë lojtar të ri në përbërje. Klubi nuk ia doli të realizojë asnjë transferim të synuar në afatin kalimtar të janarit.
Evertoni ishte i vetmi klub elitar anglez që nuk u forcua muajin e kaluar, pavarësisht se kishte nevojë për të shtuar lojtarë të rinj në skuadrën që është e parafundit në tabelë me vetëm tri fitore gjatë gjithë sezonit.
Përpjekje të shumta u bënë për të sjellë lojtarë në ditën e fundit të afatit, të martën, një ditë pasi Dyche u zyrtarizua si trajner. Por Evertoni u mund nga rivalët ose nuk mundi të siguronte të paktën një marrëveshje. Pronari Farhad Moshiri i kishte premtuar klubit se do të transferonte të paktën një sulmues, por nuk e arriti këtë. Ndërkohë, Dyche tha se nuk kishin dështuar të bënin transferime shkaku i mungesës së përpjekjeve.
“U bënë thirrje telefonike, u bënë ofertat, por nuk u realizuan për çfarëdo arsyeje”, tha ish-trajneri i Burnleyt në konferencën e tij të parë për shtyp, të enjten. “Ne mund të kemi debate se pse nuk realizuam transferime, por unë besoj në lojtarët aktualë. Ka lojtarë të mirë këtu. Ata mund të mos e kenë treguar këtë dhe unë kam ardhur për t’ua nxjerr në pah pasi dua ta përmirësoj ekipin”.
Tifozët e Evertonit kanë qenë kritikë të ashpër në javët e fundit në lidhje me mënyrën se si po drejtohet klubi dhe anëtarët e bordit u këshilluan të mos marrin pjesë në ndeshjen e fundit në shtëpi kundër Southamptonit për shkak të kërcënimeve të bëra për sigurinë e tyre.
Dyche, i cili në debutimin e tij do të përballet me një ndeshje të frikshme kundër liderit të Premier League, Arsenalit, të shtunën, tha se e ka pranuar ofertën e Evertonit, pavarësisht situatës së vështirë. Ai u bëri thirrje të gjithëve që të bashkohen për të nxjerrë klubin nga telashet.
“Mesazhi është i qartë – uniteti”, tha ai. “Tifozët janë të rëndësishëm për ne, andaj u bëj thirrje për përkrahje. Nëse kanë përkrahjen e tifozëve, atëherë besoj se lojtarët do të përgjigjen edhe në këtë presion, pasi do ta ndjenjë mbështetjen”.
Dyche nuk ishte zgjedhja e parë e pronarit Moshiri për të zëvendësuar Frank Lampardin e shkarkuar javën e shkuar, pasi ai donte ish-trajnerin e Leeds Unitedit, Marcelo Bielsan. Por bisedimet dështuan.
“Nëse klubi nuk do të ishte në situatën në të cilën është, ndoshta nuk do të kisha shansin të zgjidhem trajner”, tha ai. “Nuk më intereson kjo. Unë jam kujdestari tani. Nuk do të jem këtu përgjithmonë, por do të kujdesem për ekipin”.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.