Sport

Hendboll, Superkupa luhet më 16 shkurt

Ndeshjet e Superkupës së Kosovës në të dyja konkurrencat në hendboll, do të zhvillohen më datën 16 shkurt, ka njoftuar të enjten Federata e Hendbollit të Kosovës (FHK).

Po ashtu, në njoftim thuhet se është marrë vendim që prej këtij viti, ndeshjet për Superkupë të jenë pjesë e kalendarit të FHK-së.

Në konkurrencën e meshkujve, do të takohen Besa Famgas dhe Kastrioti. Ekipi pejan sezonin e shkuar ka fituar titullin dhe kupën e Kosovës, ndërsa Kastrioti ishte finalist i Kupës së Kosovës. Kjo përballje zhvillohet prej orës 15:30.

Ndërkohë, prej orës 18:00 do të takohen Istogu dhe Ferizaj në konkurrencën e femrave. Istogu fitoi dy trofetë sezonin e shkuar, duke e mposhtur në të dyja finalet ekipin e Ferizajt.

Superkupa e Kosovës “Pavarësia 2023”, do të organizohet në Istog.