Selektori i Përfaqësueses U21 të Kosovës në futboll, Afrim Tovërlani, ka thënë se nuk ia ka frikën asnjë kundërshtari të grupit në kualifikimet për Kampionatin Evropian të vitit 2025. Ai ka theksuar se Kosova ka gjasat e saj për kualifikim në Evropianin që do të mbahet në Sllovaki.
Kosova është në grupin D së bashku me Gjermaninë, Poloninë, Izraelin, Bullgarinë dhe Estoninë. Shorti është tërhequr të enjten në Nyon të Zvicrës. Kosova ishte në vazon e pestë.
“Larg asaj për të nënçmuar ndonjë ekip, por mendoj se jemi në situatë për t’u mos ju frikësuar asnjë kombëtareje. Ne do të bëjmë më të mirën. Shpresoj të mos kemi lëndime dhe ta kemi grupin e shëndoshë, duke insistuar të luftojmë për një pozitë sa më të mirë. Duhet ta dimë se kualifikimet e fundit na e kanë bërë punën më të vështirë sepse kemi rënë në vazon e pestë. Pra, e theksoj edhe një herë as nuk e nënçmojmë askënd dhe as nuk i frikësohemi askujt. E kemi një grup të mirë të futbollistëve. Shpresoj që ata të kenë minutazh më të madhe në klubet e tyre. Jam shume i bindur se do të kalojmë mirë në këtë grup”, ka thënë Tovërlani pas shortit për faqen e Federatës së Futbollit të Kosovës.
Kosova me Gjermaninë dhe Izraelin ishte përballur edhe në kualifikimet për “Euro 2019”. Ciklin e ri kualifikues për “Euro 2022” kualifikues, Kosova e nis në shtëpi kundër Estonisë.
Kualifikimet nisin në mars, ndërsa përfundojnë në tetor të vitit të ardhshëm. Në nëntor do të zhvillohet plejofi për kualifikimin në Evropianin që do të mbahet në Sllovaki. Përfaqësueset e 52 shteteve janë të ndara në nëntë grupe dhe luftojnë për 15 vende që dërgojnë në Evropianin e vitit 2025.
Ndërkohë, Shqipëria është në grupin E së bashku me Rumaninë, Zvicrën, Finlandën, Malin e Zi dhe Armeninë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.