Më shumë se dy dekada që nga triumfi i fundit i Kupës së Botës dhe pa një konsensus lokal, Brazili po mendon të thyejë një tabu të pashkruar: të punësojë një trajner të huaj.
Pas gjashtë vjetësh në detyrë, Tite u largua nga posti i selektorit të Brazilit muajin e kaluar pas eliminimit të “Seleçaos” në çerekfinalen e Kupës së Botës nga Kroacia. Pavarësisht se e dinte para turneut të Katarit se Tite po largohej, presidenti i Federatës së Futbollit të Brazilit (CBF), Ednaldo Rodrigues, ende nuk ka gjetur një zëvendësues. Tani ai po zgjeron kërkimin e tij.
“Ne nuk kemi paragjykime kombësie”, tha ai. “Ne duam që ai të jetë një trajner i respektuar që mund të sjellë një nivel loje të denjë për lojtarët. Pra, të aplikojë një lojë sulmuese”.
Përveç Anglisë, që punësoi suedezin Sven Goran Eriksen dhe italianin Fabio Capello në vitet 2000, pothuajse asnjë vend tjetër i madh i futbollit nuk ka pasur një trajner të huaj në dekada. Pritja e Brazilit për titullin e botës që nga viti 2002 ka detyruar federatën ta hedhë rrjetën më larg. Ka kandidatë potencialë brazilianë, por asnjëri nuk ka fituar mbështetje të gjerë.
“Ne kemi cilësi të mirë, por më parë prodhonim më shumë trajnerë se tani”, tha Luiz Felipe Scolari, trajneri fitues i titullit 2002. “Brezi i ri, nuk ka fituar mjaftueshëm trofe”.
Shtypi brazilian ka propozuar shumë kandidatë të mundshëm. Spanjollët Pep Guardiola dhe Luis Enrique, italianin Carlo Ancelotti, francezin Zinedine Zidane, Jose Mourinhon e Portugalisë dhe madje edhe argjentinasit Marcelo Gallardo dhe Mauricio Pochettino. Guardiola i Manchester Cityt dhe Ancelotti i Real Madridit e kanë përjashtuar veten nga kjo mundësi, megjithëse spanjolli tha disa vjet më parë se do t’i pëlqente të drejtonte një përfaqësuese kur të largohej nga kampioni i Anglisë.
“Që nga fundi i vitit të kaluar mendoj se kam dëgjuar 26 emra. Ne do të ndjekim disa prej tyre”, tha Rodrigues, i cili shpreson të ketë trajnerin e ri në vend deri në mars.
Por nuk është aspak i lehtë punësimi i një trajneri të klasit botëror kur klubet kryesore evropiane mund të paguajnë paga të larta dhe ofrojnë mundësinë për të luajtur në Ligën e Kampionëve. Gjithashtu nuk është e lehtë as të binden tifozët brazilianë të pranojnë një “gringo” në krye të ekipit të tyre. Një sondazh së fundmi zbuloi se 48 për qind ishin kundër idesë së trajnerit të huaj, me vetëm 41 për qind pro. Shkalla e refuzimit ishte të paktën më e ulët se në sondazhet e mëparshme të tilla.
“Në Brazil ka një ide, ku thuhet se ne kemi futbollin më të mirë në botë, kështu që nuk kemi nevojë që një trajner i huaj të na thotë se si të luajmë”, historiani dhe redaktori i faqes sportive “Ludopedio”, Victor Figols.
Brazili dikur kishte trajnerë të huaj, megjithëse sundimi i tyre ishte i shkurtër. Uruguaiani Ramon Platero e mbajti këtë pozitë në vitin 1925, portugezi Jorge Gomes de Lima drejtoi Brazilin së bashku me brazilianin Flavio Costa në vitin 1944 dhe argjentinasi Filpo Nunez pati një periudhë të shkurtër në vitin 1965. Por të huajt u hodhën poshtë sapo Brazili, duke përdorur trajnerë vendas, u konsolidua si një fuqi botërore e futbollit. Krejt e kundërta ndodhi pasi trajnerë si Scolari, Vanderlei Luxemburgo, Carlos Alberto Parreira, Ricardo Gomes dhe Zico morën drejtimin e përfaqësueseve të tjera.
“Nëse shikojmë renditjen e FIFA-s, trajnerët brazilianë nuk janë as në top 10”, tha Figols.
Ka disa kandidatë vendas që janë të njohur në shtyp, si Dorival Junior, i cili fitoi Copa Libertadores me Flamengon, apo Fernando Diniz i Fluminenses, Renato Portaluppi i Gremios dhe Mano Menezes i Internacionalit. Por asnjëri prej tyre nuk ka një rezyme të krahasueshme me atë të Tites. Me Corinthiansin, Tite fitoi Copa Libertadores, dy tituj brazilian dhe Kupën e Botës për Klube në një periudhë pesëvjeçare.